Albert Krasniqi nga Demokracia Plus konsideron se është antikushtetuese se si Vetëvendosja përmes Elbert Krasniqit ndau votimet për pakicat kombëtare rreth zgjedhjes së Nënkryetarëve të Kuvendit, dy të cilat u takojnë me Kushtetutë.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Procedura për zgjedhjen e dy nënkryetarëve të Kuvendit që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë duhet të përsëritet, pasi mënyra e ndjekur nuk është në përputhje me Kushtetutën. Zgjedhja e tyre duhet të bëhet me një votim të vetëm, në bllok, për të dy kandidatët.
Kandidati për nënkryetar nga komuniteti serb mund të propozohet vetëm nga Lista Serbe, e cila përfaqëson shumicën e deputetëve të këtij komuniteti, dhe jo nga subjekte të tjera politike.
Aktivizimi i procedurës me short për përzgjedhjen e kandidatit mund të bëhet vetëm në rastet kur nuk ka propozime dhe gjithmonë në prani të deputetëve të komunitetit përkatës. Pa pjesëmarrjen e tyre, shorti nuk mund të zhvillohet.
Gjithashtu, skenari për të shteruar kandidaturat e Listës Serbe me qëllim që pozita t’i kalojë ZSPO-së së Nenad Rashiqit, nuk mund të realizohet pa miratimin e shumicës së deputetëve të këtij komuniteti.