Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila njëherësh ushtron edhe detyrën e presidentes së vendit, ka deklaruar se sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët janë të obliguar të marrin pjesë dhe të votojnë në seancën për zgjedhjen e presidentit.
Duke folur në seancën e bojkotuar nga partitë opozitare, Haxhiu tha se në një demokraci parlamentare mund të ketë dallime të thella dhe përplasje politike, por sipas saj ekziston një vijë që nuk duhet kaluar, respektimi i rendit kushtetues, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Mungesa e opozitës është një veprim që prodhon pasoja direkte, bllokimin e një procedure kushtetuese dhe shtyrjen e vendit drejt një krize të panevojshme. Unë nuk jam këtu për të gjykuar veprimet politike të askujt, sepse nuk është në rolin tim si kryetare e Kuvendit ta bëj këtë, por është detyrim i imi kushtetues ta mbroj institucionin, sepse aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka sqaruar këtë çështje në mënyrë përfundimtare”, tha ajo.
Haxhiu tha se opozita po i anashkalon detyrimet që dalin nga Kushtetuta.