Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ka ngritur shqetësime për rritjen e çmimeve dhe ka drejtuar kritika ndaj Lëvizja Vetëvendosje.
Ai theksoi se Kosova tashmë po përballet me një krizë ekonomike, duke paralajmëruar se vendi mund të përballet edhe me sfida serioze në furnizimin me derivate të naftës.
Sipas Shalës, nëse pranohet ekzistenca e krizës, atëherë institucionet duhet të kalojnë në fazën e menaxhimit të saj përmes politikave të qarta dhe veprimeve konkrete. Ai kritikoi Qeverinë për mungesë reagimi, duke thënë se deri më tani nuk ka asnjë hap konkret për t’u përballur me situatën apo për t’u përgatitur për sfidat që mund të zgjasin në kohë.
Shala shtoi se përgjegjësia kryesore bie mbi Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë, e cila sipas tij nuk po funksionon si duhet as në aspektin ekzekutiv dhe as në atë parlamentar. Ai kritikoi gjithashtu menaxhimin e këtij sektori në vitet e fundit, duke e cilësuar si të dobët dhe të pasigurt përballë krizës së derivateve.
Në fund, ai akuzoi këtë ministri për dështime të vazhdueshme, duke përmendur edhe çështje ligjore dhe pretendime për afera korruptive, që sipas tij e bëjnë të pamundur një menaxhim efektiv të krizës.