Pas vendimit të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje për ta mandatuar Glauk Konjufcën për kryeministër, partitë e tjera parlamentare kanë reaguar ashpër, duke e cilësuar këtë veprim si përpjekje për zgjatje të pushtetit pa shumicë parlamentare dhe pa legjitimitet politik.

Të gjitha partitë opozitare janë shprehur njëzëri se aktualisht nuk ekziston shumicë parlamentare për formimin e një qeverie të re dhe se zgjidhja e vetme për daljen nga kriza politike mbeten zgjedhjet e parakohshme, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vlerësuar se vendi ndodhet në një moment vendimtar politik dhe se çdo tentativë për t’i dhënë sërish mandatin Vetëvendosjes është “humbje kohe dhe zvarritje e panevojshme”.

Reklamë

Sipas PDK-së, askush në këtë legjislaturë nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë dhe zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e reja të parakohshme.

Në emër të “përgjegjësisë dhe besimit qytetar”, PDK kërkon t’i jepet fund çdo skeme zvarritëse apo improvizimi politik dhe t’i hapet rrugë zgjedhjeve të reja.

“Sot, zgjidhja e vetme e drejtë dhe demokratike janë zgjedhjet e parakohshme, që do t’i kthejnë sovranit të drejtën për të vendosur drejtimin e ardhshëm të vendit dhe për t’i dhënë legjitimitet institucioneve të reja”, thuhet në reagim.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka quajtur këtë proces “shfaqje teatrale të mandatarëve pa numra dhe pa legjitimitet demokratik”.

Reklamë

LDK kërkoi që Presidentja ta pranojë realitetin politik – mungesën e shumicës në Kuvend – dhe ta shpallë këtë publikisht, duke e konsideruar të pakuptimtë çdo përpjekje për qeveri pa bazë parlamentare.

“LDK-ja apelon për veprim të shpejtë, të përgjegjshëm dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe afatet ligjore. Dalja nga bllokada institucionale nuk mund të kërkohet përmes veprimeve jo-kushtetuese e marrëveshjeve të paqarta, por përmes kthimit te sovrani, te qytetari. Zgjedhjet e reja tashmë janë domosdoshmëri.”, u tha nga LDK-ja.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka theksuar se Presidentja nuk ka mandat kushtetues të emërojë kandidat për kryeministër pa dëshminë e shumicës së nënshkruar të deputetëve.

Reklamë

Ai e ka quajtur kandidaturën e dytë nga VV “përpjekje për të vazhduar kapjen e institucioneve” dhe ka kërkuar që vendi të shkojë menjëherë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në të njëjtën linjë, NISMA Socialdemokrate ka vlerësuar se Kosova ndodhet në një ngërç të paprecedentë institucional për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe përpjekjeve për zgjatje të pushtetit pa legjitimitet.

NISMA i ka bërë thirrje Presidentes të mos bëhet pjesë e zvarritjeve politike dhe të veprojë në përputhje me vullnetin e subjekteve që kanë kërkuar zgjedhje të reja.

Reklamë

Pas dështimit të Albin Kurtit për të siguruar 61 votat e nevojshme për krijimin e Qeverisë, Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje ka nominuar Glauk Konjucën, mandatar të dytë për krijimin e Qeverisë./Reporteri.net/