×
  • Lajme
  • Lajme / Detaje të reja

    12 shtëpitë që u rrënuan në Bardhosh, investitori i lagjes ‘Dielli’ s’kishte marrë mundin fare të aplikojë për leje ndërtimore

    Autor:Arlinda Rrmoku
    26 Qershor 2024 | 10:13

    Pronari i 12 shtëpive – tashmë të rrënuara – në lagjen ‘Dielli’ në fshatin Bardhosh të Prishtinës, Ymer Veliu, nuk kishte aplikuar fare për t’u pajisur me leje ndërtimore në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës. Pavarësisht kësaj, ai kishte nisur punimet për ndërtimin e objekteve, të cilat javë më parë u rrënuan nga Drejtoria e Inspekcionit, pikërisht pas publikimit të hulumtimit të Gazetës Online Reporteri.net për mungesën e lejes së ndërtimit të tyre

    Këtë e ka konfirmuar Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Prishtinës, të cilët thanë se nuk kanë pranuar kërkesë për leje ndërtimi nga Veliu.

    Drejtoria e Urbanizmit, pas shqyrtimit të kësaj kërkese, konsultimit të rregullativës ligjore në fuqi , dhe pas verifikimit ne databazën qe posedon kjo drejtori,ju informon se, nuk është pranuar kërkesë për leje ndërtimi me keto te dhena, te paraqitura ne kërkesen e juaj”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së udhëhequr nga Arbër Sadiki, për Gazetën Online Reporteri.net.

    Kujtojmë se 12 shtëpitë e ndërtuara pa leje afër kyçjes në autostradën “Ibrahim Rugova” janë rrënuar të enjten e 6 qershorit. Rrënimi i këtyre shtëpive është bërë fill të nesërmen pasi Gazeta Online Reporteri.net publikoi hulumtimin rreth këtij investimi ilegal në dalje të kryeqytetit.

    Hulumtimi i Gazetës Online Reporteri.net zbuloi se ndërtimi i shtëpive kishte nisur ani pse Komuna e Prishtinës nuk kishte lëshuar leje për ndërtimin e tyre.

    Kjo nuk e kishte ndalur pronarin e lagjes “Dielli” që të vazhdojë ndërtimin e tyre, pavarësisht se ishte urdhëruar që të ndërpresë punimit dhe të rrënojë dymbëdhjetë shtëpitë.

    Një ditë pas publikimit të hulumtimit, kishte reaguar edhe Prokuroria e Shtetit.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë, ju njofton se pas publikimit në media lidhur me dyshimet se në Komunën e Prishtinës, më konkretisht në lagjen e re në fshatin “Bardhosh” të Prishtinës janë duke u ndërtuar 12 shtëpi pa leje, Prokurori i Shtetit njëherazi Koordinatori i krimeve kundër mjedisit, ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave dhe provave me qëllim të verifikimit të këtyre informacioneve”, thuhej në komunikatë.

    Më 22 mars të këtij viti, Inspektori i Ndërtimit i Drejtorisë së Inspekcionit të Komunës së Prishtinës pas kontrollit që kishte bërë më 16 mars, kishte  nxjerrë aktvendim përmes të cilit pronari dhe investitori i kompleksit, Ymer Veliu, urdhërohet që t’i rrënojë shtëpitë që janë në ndërtim e sipër në Bardhosh të Prishtinës.

    Sipas aktvendimit të siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net, përmes qasjes në dokumentet publike, afati për rrënimin e 12 ndërtesave individuale ka qenë tri ditë nga dita e pranimit të vendimit. Gjë që nuk kishte ndodhur as pas më shumë se dy muajve.

    “Në rast se nuk zbatohet urdhri nga pika I dhe II e këtij aktvendimi organi kompetent do ta bëjë rrënimin e objekteve që përbën shkelje ose gjendje të pasigurt dhe kostoja e rrënimit do të mbulohet nga pronari, kontraktori ose pala tjetër përgjegjëse për ndërtimin që nuk ka qenë në përputhje me dokumentacionin teknik, ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi”, thuhet në pikën e tretë të aktvendimit.

    Lagje e re me 12 shtëpi pa leje në Prishtinë – Biznesmeni i njohur për ndërtime pa leje vazhdon avazin e vjetër

    Po ashtu, Komuna e Prishtinës në vendimin e saj thekson se nëse pronari vazhdon punimet, duke mos zbatuar urdhrin nga Inspekcioni, atëherë organi kompetent duhet ta bëjë menjëherë rrënimin e objekteve pavarësisht afatit të dhënë në pikën II të këtij aktvendimi.

    Pronarit të kompleksit, Ymer Veliu, i ishte shqiptuar edhe gjobë mandatorë për kundërvajtje, pasi i njëjti nuk kishte respektuar urdhrin e Inspekcionit, duke larguar shiritat rrethues dhe duke vazhduar punët ndërtimore.

    Gjatë hulumtimit të rastit, gazeta online Reporteri.net kishte provuar të kontaktojë me investitorin, por ai kishte refuzuar të përgjigjej. “S’kena çka me folë na, absolutikisht. Edhe jom në Mal të Zi, nuk jom ktu hiç. Po çkado që ki, për dy ditë kthehna…”, kishte Veliu përmes telefoni.

    Ndërtimet pa leje, nuk janë diçka e pazakontë për biznesmenin, Ymer Veliu.

    Prokuroria nis hetimet për ndërtimin e 12 shtëpive pa leje në Prishtinë

    I njëjti është i njohur që edhe më parë ka përfituar kundërligjshëm miliona euro përmes shitjes së banesave të ndërtuara pa leje, në Prishtinë.

    Ymer Veliu, përmendet në rastin e njohur të inspektorëve të Isa Mustafës në Prishtinë, të cilët akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Prokuroria pretendonte se Veliut, inspektorët e akuzuar, i kishin mundësuar që në rrugën “Ardian Krasniqi” ta ndërtojë pa leje një objekt afaristo-banesor, në mënyrë që nga shtija e banesave ka përfituar mbi 1 milion e 700 mijë euro.

    Madje vetë Veliu, i ftuar gjatë gjyqit si dëshmitar, kishte pohuar se kompania ndërtimore “Naki Trade” ku ai dhe vëllai i tij Milazim Veliu janë pronarë kishte ndërtuar objekte banesore në kryeqytet pa pasur leje.

    Rrënohen shtëpitë pa leje në Bardhosh të Prishtinës

    “Gjatë punës tonë, kanë ardhë disa herë inspektorët me na ndalë punimet por ne prapë kemi vazhdu. Nuk ka qenë faji jonë sepse ata vet na e kanë vonu lejen e ndërtimit shkaku i neglizhencës së tyre. Ne është dashur që të vazhdojmë me ndërtime sepse ashtu ka qenë marrëveshja me banorët”, deklaronte Veliu në Gjykatën e Prishtinës, me 23 shtator 2016.

    Në një rast tjetër, Prokuroria e Shtetit në vitin 2019 e kishte implikuar kompaninë “Naki Trade” dhe pronarin e saj Milazim Veliun për ndërtime pa leje edhe në komunën e Fushë Kosovës, po ashtu në koordinim me inspektorë komunal që dyshoheshin për keqpërdorim të detyrës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!