Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, B.R., B.H., R.Q. dhe N.L., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, gjatë periudhës nga 2 gushti 2017 deri më 26 nëntor 2020, në Prishtinë, në cilësinë e zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat ligjore dhe nuk kanë përmbushur detyrat zyrtare lidhur me kontratën publike për “Mirëmbajtjen e Urave në Rrugët Nacionale dhe Rajonale të Kosovës për vitet 2017–2019”.

“Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve B.R., B.H., R.Q. dhe N.L., për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Reklamë

Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, Rregulloren dhe Udhëzimin Operativ për Prokurim Publik, si dhe me Rregullën Financiare për Shpenzimet e Parasë Publike.

Prokuroria pretendon se aktiviteti i prokurimit ishte iniciuar me një vlerë të parashikuar prej 500 mijë eurosh, ndërsa pagesat e realizuara në kuadër të kontratës kanë arritur në 5,377,058.07 euro.

“Janë realizuar pagesa totale në shumën prej 5,377,058.07 eurosh”, thuhet në aktakuzë.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, janë nënshkruar dhe certifikuar raporte të punimeve me sasi shumëfish më të larta se ato të parapara në dosjen e tenderit.

Këto punime, sipas aktakuzës, janë realizuar pa aneks-kontratë, pa zhvillimin e një procedure të re të prokurimit dhe pa verifikim të rregullt nga komisioni për pranimin e punëve.

Reklamë

Në fund, Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata që, përveç dënimit për veprën penale, ndaj të pandehurve të shqiptohet edhe dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.