×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    5 të arrestuar pas ngjarjes së rëndë në hotelin në Vlorë, mes tyre edhe një shtetas kosovar

    Reporteri
    03 Shtator 2026 | 20:56

    Pesë persona janë arrestuar dhe gjashtë të tjerë janë shpallur në kërkim pas një incidenti me armë zjarri të ndodhur mesditën e së enjtes në një hotel në zonën e Radhimës, në Vlorë.

    Mes pesë personave të arrestuar është edhe një shtetas kosovar, Blerim Heta, 40 vjeç.

    Detajet e ngjarjes janë bërë publike nga drejtori i Policisë së Vlorës, Edvin Ndreu, gjatë një deklarate për mediat.

    Sipas policisë, ngjarja nisi rreth orës 12:00, kur një automjet tip “Range Rover”, me ngjyrë të zezë, nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar në pikën e kontrollit në Rrethin e Alikokës dhe vijoi lëvizjen në drejtim të Peshkëpisë.

    Gjatë ndjekjes nga policia, automjeti doli nga rruga në zonën e Urës së Peshkëpisë dhe përplasi barrierat mbrojtëse. Në të ndodheshin Luan Muça, 55 vjeç, drejtuesi i automjetit, si dhe vëllezërit Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, dhe Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, të dy punonjës të një shërbimi privat të sigurisë.

    Si pasojë e aksidentit, Luan Muça dhe Mandrit Lleshaj mbetën të dëmtuar dhe u dërguan në Spitalin Rajonal të Vlorës. Sipas policisë, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

    Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë dhe një krehër me 16 fishekë luftarakë.

    Rreth orës 13:00, një tjetër automjet i shpallur në kërkim u ndalua nga shërbimet e Policisë së Fierit në zonën e Mbikalimit të Memorialit. Në drejtim të tij ishte shtetasi kosovar Blerim Heta.

    Gjatë kontrollit të automjetit, policia konstatoi dëmtime në xhamin e anës së pasagjerit, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga të shtënat me armë zjarri. Brenda automjetit u gjetën gjithashtu tre fishekë pistolete.

    Ndërkohë, rreth orës 16:30, në bypass-in e Vlorës, pranë fshatit Kaninë, u gjet duke u djegur një automjet tip “Audi A8”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes.

    Kërkuan 5 milionë euro

    Nga veprimet hetimore të kryera deri tani, policia dyshon se Luan Muça, së bashku me persona të tjerë, ka shkuar në hotelin në pronësi të Vasil Bedinajt.

    Sipas versionit të policisë, grupi i ka kërkuar pronarit të hotelit shumën prej 5 milionë eurosh, duke e kërcënuar me armë dhe duke ushtruar dhunë fizike ndaj tij.

    Po sipas policisë, Bedinajt i është dhënë një ultimatum prej 48 orësh për t’u larguar nga Shqipëria.

    Policia deklaron gjithashtu se Angjelo Breshani ka shkuar te automjeti i Vasil Bedinajt, ka marrë një armë zjarri që ky i fundit e posedonte me leje dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të personave që ndodheshin në zonë.

    Pesë të arrestuar, gjashtë në kërkim

    Në përfundim të veprimeve policore janë arrestuar:

    Luan Muça, 55 vjeç, banues në Tiranë;
    Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, banues në Tiranë;
    Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, banues në Tiranë;
    Blerim Heta, 40 vjeç, shtetas kosovar;
    Angjelo Breshani, 29 vjeç, banues në Vlorë.

    Ndërkohë, gjashtë persona të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa policia ka sekuestruar dhe shpallur në kërkim edhe katër automjete që dyshohet se janë përdorur në ngjarje.

    Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e rolit të secilit prej personave të dyshuar.

    Materialet pritet t’i referohen Prokurorisë për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!