Në gjashtëvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Washingtonit, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka rikujtuar momentin e nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë.
Hoti ka publikuar një fotografi nga ceremonia e 4 shtatorit 2020, ku shihet duke nënshkruar marrëveshjen për normalizimin ekonomik me Serbinë, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Marrëveshja u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator 2020.
“Kur Kosova udhëhiqej nga një qeveri me orientim të qartë euroatlantik. 🇽🇰 🇺🇸”, ka shkruar Hoti krahas fotografisë.
Marrëveshja e Washingtonit u prezantua si marrëveshje për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfshinte një sërë zotimesh për projekte infrastrukturore, bashkëpunim ekonomik, personat e pagjetur, si dhe i solli Kosovës njohjen nga Izraeli.
Në kuadër të marrëveshjes, Kosova dhe Serbia u zotuan për zbatimin e marrëveshjeve për autostradën dhe hekurudhën Prishtinë–Beograd, ndërsa u përfshi edhe studimi i fizibilitetit për përdorimin e përbashkët të Liqenit të Ujmanit.
Marrëveshja u nënshkrua në dy dokumente të ndara, nga Hoti dhe Vuçiq, në prani të presidentit amerikan Donald Trump./Reporteri.net/