Delegacioni i organizatës Albanians for America (AFA), i përbërë nga Gino Mulliqi, Gëzim Rushiti dhe Janinë Memeti, është takuar me të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Sipas njoftimit të AFA-së, gjatë takimit palët riafirmuan partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke vënë theksin në thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.
“Diskutimet u përqendruan në mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve amerikane në Kosovë, avancimin e sektorit të energjisë, përfshirë projektet e gazit natyror të lëngshëm (LNG), si dhe krijimin e vendeve të reja të punës përmes investimeve strategjike”, thuhet në njoftim.
AFA bëri të ditur se përfaqësuesit e saj theksuan rëndësinë e institucioneve të fuqishme dhe të një qeverisjeje të qëndrueshme për të rritur besimin e investitorëve dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik.
“Një Kosovë me institucione të fuqishme dhe qeverisje të qëndrueshme është thelbësore për forcimin e besimit të investitorëve, avancimin e zhvillimit ekonomik dhe thellimin e mëtejshëm të partneritetit me Shtetet e Bashkuara”, thuhet më tej.
Në të njëjtin kontekst, delegacioni i AFA-së kërkoi rifillimin e Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA.
“Delegacioni i AFA-së bëri thirrje për rifillimin e Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA, si një mekanizëm që do të mundësonte një koordinim më të thellë dhe afatgjatë në fushat e sigurisë, ekonomisë, energjisë, investimeve dhe zhvillimit institucional”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, delegacioni vlerësoi rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, duke nënvizuar kontributin e tij në ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik dhe investime.
Në fund, AFA shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Kosovës dhe riafirmoi përkushtimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.