×
  • Lajme
  • Lajme

    AGK: Gazetarja Saranda Ramaj shpifi për organizatën

    Reporteri
    11 Prill 2019 | 12:53

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka reaguar gazetares së Kohës Ditore, Saranda Ramajt, e cila dje raportoi lidhur me bashkëpunimin e AGK-së me Këshillin Prokurorial të Kosovës.


    Organizata e ka konsideurar si tendencioz dhe të pavërtetë shkrimin e gazetares Ramaj, duke kërkuar nga mediumi i saj që ta publikojnë edhe demantimin, shkruan Reporteri.net.

    Raportimi i Ramajt lidhej me (mos)bashkëpunimin e AGK-së me KPK-në, për të cilën gjë KPK ofroi dëshmi se nuk qëndrojnë.

    Gjeni më poshtë të plotë reagimin e AGK:

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagon ndaj shkrimit joprofesional të publikuar dje në portalin Koha.net dhe qasjen tendencioze të gazetares, Saranda Ramaj. AGK njofton opinionin se gazetarja Ramaj nuk ka kërkuar fare qëndrim prej AGK-së para publikimit të shkrimit, për më tepër ka interpretuar ne mënyrë tendencioze deklaratat e zyrtareve te KPK duke dhënë koment dhe konstatim subjektiv përmes titullit dhe nëntitullit “AGK-ja s’bashkëpunon me KPK-në në lidhje me rregulloren që ua kufizon mediave komunikimin me prokurorë”.

    Të kontaktuar nga AGK, edhe zyrtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës e kanë demantuar komentin e bërë në shkrim. Zyra për informim e Këshillit Prokurorial të Kosovës, ka bërë të ditur se është plotësisht i pavërtetë konstatimi se AGK nuk bashkëpunon me KPK-në, përkundrazi, siç thuhet në përgjigje, AGK ka dhënë kontribut në avancimin e bashkëpunimit.

    “Në vazhdim të këtij takimi është miratuar rregullorja për shërbimet e komunikimit publik, por pas pak minutash na kanë informuar se portali KOHA.net ka publikuar një shkrim nga gazetarja Saranda Ramaj, e cila ishte e pranishme në takimin e sotëm të KPK-së, me titull: “AGK-ja s’bashkëpunon me KPK-në në lidhje me rregulloren që ua kufizon mediave komunikimin me prokurorë”. Dhe pasi e kemi lexuar shkrimin në portal kemi vërejtur se nuk qëndron aspak pjesa e shkrimit, sepse Ju informojmë se ne incizojmë çdo takim për shkak të transkriptimit të procesverbaleve të takimeve të KPK-së dhe, ç’është e vërteta, të pranishme kanë qenë edhe mediat e tjera, nga të cilat mund të dëshmohet se në asnjë moment Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, nuk e ka thënë se nuk kemi bashkëpunim me AGK-në, përkundrazi, ne e kemi përmendur në takimet tona të brendshme dhe jemi falënderues për bashkëpunimin me rastin e mbajtjes së seminarit trajnues të mbajtur në Bogë të Pejës me kryeprokurorë dhe zyrtarë të komunikimit publik të sistemit prokurorial, në të cilin Ju e nderuara Zonja Begolli keni qenë paneliste dhe keni dhënë kontribut për avancimin e bashkëpunimit tonë.”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

    Sipas përgjigjes së KPK-së, ishte Kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative, z. Zejnullah Gashi, i cili, ndër të tjera ka thënë se drafti i kësaj rregulloreje është dërguar për komente te partnerët ndërkombëtarë dhe mekanizmat vendorë, me ç’rast kur ka përmendur mekanizmat vendorë, ka thënë se kemi marrë komente nga IKD-ja, kurse nga ana e AGK-së nuk na kanë arritur komente. “Kaq ka qenë prezantimi i tij para mediave dhe gazetarëve për këtë çështje dhe nuk është përmendur askund dhe në asnjë kontekst gjatë fjalës së tij mosbashkëpunimi i AGK-së me KPK-në.”- thuhet në përgjigje.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës sqaron se kërkesa për komente nuk ka arritur në adresat zyrtare të AGK-së office@agk-ks.org dhe asociacioniigazetareve@gmail.com ku ka qasje stafi ekzekutiv i AGK-së, që janë të publikuara në uebfaqe dhe në adresat e AGK-së në rrjetet sociale. Dje pas rishikimit të emaileve kemi vërejtur se kërkesa ishte drejtuar vetëm në adresën e kryetares Begolli Pustina, e cila në atë kohë ka qenë në ditët e para të rikuperimit pas një komplikimi të rëndë shëndetësor, pas lindjes së fëmijës. Rrjedhimisht, Bordi i Asociacionit nuk ka qenë i njoftuar për ta shqyrtuar një kërkesë të tillë. Pra kemi të bëjmë me çështje teknike e asesi me një mungesë gatishmërie të bashkëpunimit të AGK-së me Këshillin Prokurorial të Kosovës.

    Kërkojmë nga gazetarja Saranda Ramaj që të kërkoj falje për këtë shkrim jo profesional dhe tendencioz dhe të veprojë konform etikës së gazetarisë, duke mos u lëshuar në komente dhe konstatime të tilla, pa i kontaktuar palët e përfshira.

    AGK konsideron se ky lajm ka dëmtuar kredibilitetin e organizatës si përfaqësuese e interesave të komunitetit të gazetarëve dhe njëkohësisht kërkon nga Grupi Koha që ta publikoj këtë demant dhe t`i jep hapësirë të njëjtë publikimi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!