×
  • Lajme
  • Lajme

    Albin Kurti e Edi Rama përplasen në Tiranë, shfaqin mospajtime rreth Mini-Schengenit

    Reporteri
    11 Shkurt 2020 | 11:15

    Kryeministri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, ndonëse e ruajtën qetësinë në të folur, nuk i kursyen fjalët për të treguar një mospajtim të madh lidhur me Schengenin Ballkanik.


    Ishte Albin Kurti ai që foli me përbuzje për projektin e Schengenit të Ballkanit, duke e cilësuar si çështje të vogël. Kur u pyet nëse do të marrë pjesë Kosova në takimin e radhës, ai tha se folën pak për të, shkruan Reporteri.net.

    “Ky ishte takimi ynë i parë, ka edhe shumë tema që do t’i trajtojmë në të ardhmen, këtë temë e trajtuam shkurtimisht meqenëse takimi ynë sot ishte më parë për makro-shengenin shqiptar se mini-shengenin ballkanik”, ka thënë Kurti.

    E kjo gjë, duket se nuk i pëlqeu shumë Ramës, i cili nuk hezitoi të ironizonte duke thënë se nuk e kupton nga erdhi cilësimi “Mini” pasi, siç thotë ai, “nuk jam i shquar të bëjë gjëra të vogla për shkak të gjatësisë”.

    Madje, Rama i tha Kurtit se nuk mund të ketë Makro-Schengen shqiptar pa mini-schengenin ballkanik.

    “S’ka makro-shengen shqiptar pa mini-shengen ballkanik. Besoj që makro-shengeni shqiptar është lidhur ngushtësisht me shengenin rajonal, sepse jemi konsistent në vazhdën e procesit te Berlinit dhe nëse në jemi të harmonizuar në ndërveprimin tonë, çka do të bëjmë çmos te jemi, na hapet rruga prej te gjitha viteve, për të pasur një hapësirë të përbashkët mes dy shteteve, për të pasur lëvizje të lirë midis nesh, jo veç të mallrave por edhe të njerëzve që deri dje ishte e paimagjinueshme, për shkak jo veç rezistencës të  Serbisë por edhe vendeve tjera. Sot është veç në dorën tonë, që këtë rezistencë ta thyejmë dhe na takon neve të bëjmë me të mirën dhe ta çojmë këtë proces përpara”, ka thënë Rama.

    Kështu, ani pse njëri-tjetrit iu drejtoheshin me “i nderuar dhe i dashur”, Rama e Kurti e shpërfaqën dallimin në një prej temave më të rëndësishme të muajve të fundit.

    Mini-schengeni, ndërkaq, u bë mollë sherri që nxiti përplasjen e Edi Ramës me të gjithë krerët të shteti kosovar, të cilët e kritikuan se po ulet në tavolinë me presidentin serb Vuçiq për të folur për Kosovën në mungesë të krerëve të saj./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!