Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas vizitës disaorëshe të Jakup Krasniqit në Kosovë, duke shprehur emocionet për kthimin e tij të përkohshëm pranë familjes.

Përmes një postimi, Çitaku i është drejtuar Krasniqit me fjalët “Baca Jakup”, duke thënë se pamja e tij sërish në Prishtinë, në përqafimin e familjes, i ka emocionuar shumë.

“Baca Jakup, na emocionove shumë kur të pamë sërish në Prishtinë, në përqafimin e familjes, qoftë edhe vetëm për pak orë”, ka shkruar Çitaku.

Reklamë

Ajo ka thënë se ata nuk do ta lënë vetëm dhe se do të bëjnë gjithçka që Krasniqi dhe të tjerët të kthehen sa më shpejt në Kosovë.

“Mbahuni të fortë, se edhe ne nuk do t’ju lëmë vetëm. Do të lëvizim çdo gur që të ktheheni sa më shpejt të gjithë në Kosovë, të lirë e krenarë, larg prangave e padrejtësisë”, ka shkruar ajo.

Çitaku ka theksuar se vendi i tyre është në atdhe, pranë familjeve dhe popullit të Kosovës.

“Në atdheun tuaj, pranë familjeve tuaja e në mesin e popullit tuaj. Këtu e keni vendin dhe dashurinë e secilit prej nesh!”, ka shkruar ajo.

Reklamë

Në fund, Çitaku e ka përmbyllur postimin me një mesazh emocional: “Na mungoni shumë, çlirimtarë!”