Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka reaguar e shqetësuar, për siç ka thënë, përpjekjet për të politizuar dërgimin e ekipit të kërkimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit, për gjetjen e trupit të mërgimtarit që u mbytë në këtë liqen, duke theksuar se kjo u aprovua nga Komandanti i KFOR’it ekskluzivisht për qëllime humanitare.
Sipas Ambasadës, deklaratat që e paraqitën këtë mision si “operacioni i parë i FSK’së në veriun e Kosovës”, e keqinterpretojnë qëllimin dhe frymën e këtij angazhimi, shkruan Reporteri.net.
“Po aq shqetësuese janë edhe akuzat për manipulim me fotografi – konkretisht, heqja e elementëve të dukshëm të shoqërimit të KFOR-it – për të promovuar narrativë të rrejshme. Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut dhe të heqin vëmendjen nga fokusi humanitar i misionit”, thuhet në reagim.
Ambasada ka thënë se vdekja e 33-vjeçarit duhet të jetë një moment zie kolektive, dhe jo një rast për përfitime politike.
“Ambasada Gjermane riafirmon mbështetjen e saj të plotë për KFOR-in dhe mandatin e tij, dhe shpreh mirënjohje të sinqertë për të gjithë pjesëtarët e KFOR-it dhe FSK-së të përfshirë në përpjekjet e sotme për rikuperim. Profesionalizmi dhe bashkëpunimi i tyre i shërben së mirës publike dhe kujton se çfarë mund të arrihet kur institucionet bashkëpunojnë në shërbim të dinjitetit njerëzor”, thuhet në reagim.
FSK-ja ka thënë se operacioni është zhvilluar në koordinim me Policinë e Kosovës, misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave.
Pas evakuimit, trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar Policisë së Kosovës dhe ekipit të forenzikës për procedurat e mëtejme.
Ndryshe, dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s. /Reporteri.net