×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasada turke në Prishtinë insiston që kolegjet e Gulenistëve të shndërrohen në Maarife të Erdoganit

    Reporteri
    13 Mars 2019 | 18:48

    Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë, përmes Ambasadës turke në Prishtinë i është kundërpërgjigjur Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë e cila të hënën përmes një deklarate kërkoi përgjegjësi institucionale për rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova.


    Hami Aksoy, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Turqisë ka deklaruar për mediat se janë duke marrë rezultate konkrete në luftën kundër shtrirjeve të organizatës siç e quan ai teroriste FETO jashtë vendit.

    “Është duke u kuptuar gjithnjë e më shumë se organizata në fjalë paraqet një rrezik serioz jo vetëm për Turqinë por edhe për ato vende ku është duke vepruar”, ka deklaruar ai.

    Ai më tej tregon se si kolegjet e Gulenit janë mbyllur dhe janë bartur në Fondacionin Maarif të Turqisë.

    “Kështu që Organizata për Bashkëpunim Islamik si dhe Pakistani kanë shpallur FETÖ-në organizatë teroriste. Më shumë se në 20 vende, në rajonet e ndryshme të botës, shkollat e organizatës FETÖ janë mbyllur, janë marrë nën kontroll si dhe janë bartur në Fondacionin Maarif të Turqisë. Shumë shtete duke perfshirë edhe vendet në Ballkan, kanë dëbuar elementet e FETÖ nga territoret e tyre. Ekzistojnë edhe hetimet penale kundër elementeve të FETÖ”, ka deklaruar Aksoy, deklaratë të cilën e ka përcjellur Ambasada turke në Prishtinë.

    Aksoy tregon se të gjitha këto procedura realizohen në kuadër të legjislacioneve të vendeve si dhe sipas tij janë të përshtatshme me të drejtën ndërkombëtare.

    “Një nga kushtet themelore të luftës kundër terrorizmit është një bashkëpunim i sinqertë ndërkombëtar i bazuar në parimet e ligjit. Ne i kushtojmë rëndësi vazhdimit të qasjeve të fuqishmë të vendeve që marrin masa kundër FETÖ, kjo organizatë e cila paraqet një kërcënim jetik për vendin tonë në rajonin e Ballkanit, ky rajon që e vleresojmë veqanerisht. I ftojmë partnerët dhe aleatët tjerë që në vend që të përpiqen për të bllokuar masat e marra kundër FETÖ, në të njëjtën mënyrë të tregojnë një qasje të kujdesshme”, ka pohuar Aksoy.

    Kujtojmë se Ambasada e SHBA-ve ka deklaruar se janë bërë 31 shkelje ligjore nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) gjatë dëbimit të gjashtë shtetasve turq në mars të vitit të kaluar. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!