×
  • Lajme
  • Lajme

    Apeli vërtetoi se ‘Qumili’ e rrahu motrën

    Reporteri
    10 Prill 2019 | 17:04

    Në maj të vitit 2016-të aktori Sevdai Radogoshi i njohur si Qumili ishte shoqëruar në polici pasi që dyshohej se kishte rrahur motrën e tij Floranta Radogoshin dhe të njëjtës i kishte kërkuar që t’ia lironte shtëpinë. Në dhjetor të vitit të kaluar Radogoshi u dënua me 500 euro gjobë, ndërkaq fajësinë e tij tashmë e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.


    Gjykata e Apelit në mënyrë të drejtë dhe të plotë ka vërtetuar se Sevdai Radogoshi e ka rrahur motrën e tij.

    “Kolegji i kësaj gjykate, e ka vlerësuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë përkitazi me ankesën e ushtruar si dhe shkresat e tjera të lëndës dhe ka ardhur në përfundim se nga ana e gjykatës së shkallës së parë në mënyrë të drejtë dhe të plotë është vërtetuar gjendja faktike”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, shkruan kallxo.com, raporton Gazeta Express.

    Radogoshi në maj të vitit 2016-të ishte shoqëruar në polici nën dyshimet se kishte kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor, ndaj motrës së tij.

    “Të enjten, më 12 maj, rreth orës 11:00 dhe 15:30, një qytetare femër, qytetare e Gjakovës, ka raportuar së është sulmuar fillimisht nga një vëlla dhe pastaj nga një vëlla tjetër. Policia menjëherë ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe i ka kryer të gjitha procedurat ligjore. Ky rast është klasifikuar si lëndim i lehtë trupor dhe është njoftuar edhe prokuroria për to, ndërsa të dyshuarit kalojnë në procedurë të rregullt”, kishte bërë të ditur policia.

    Edhe motra e aktorit Radogoshi kishte konfirmuar rastin duke bërë të ditur se kishte pasur konfrontim me të dy vëllezërit e saj.

    Floranda Radogoshi kishte bërë të ditur se nga konfrontimi kishte lënduar hundën.

    Në anën tjetër, aktori Radogoshi kishte mohuar këto deklarata duke thënë se nuk bëhej fjalë për dhunë fizike e se deklaratat e të motrës nuk duhet të merreshin për bazë për shkak të gjendjes së saj psikike.

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Radogoshin në dhjetor të vitit 2018-të me 500 euro gjobë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!