Komandanti i stacionit policor në Malishevë, Nazmi Zogaj, ka folur për tragjedinë e sotme ku është vrarë një grua shtatzënë (25-vjeçare).

Sipas Prokurorisë, dyshohet se gruaja u vra nga burri i saj, i cili mësohet se më pas është plagosur rëndë dhe po trajtohet ne Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Me të pësuar rastin, njësimet policore dhe emergjenca kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Lëndimet kanë qenë shumë të rënda dhe menjëherë janë transportuar për në QKUK në Prishtinë”, ka thënë komandanti i stacionit policor në Malishevë, Nazmi Zogaj për media.

Reklamë

Tutje, Zogaj tha se arma ka qenë me leje.

“Dyshohet se arma është me leje dhe është e prindit të dorasit. Prokuroria e ka vlerësuar si vrasje të rëndë. Jemi në hetimet fillestare, për të zbuluar më shumë për rastin”, tha Zogaj.

Tragjedia e sotme ka ndodhur në fshatin Kërvasari të Malishevës.

Nga ana tjetër, edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin e rëndë që ka ndodhur në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një grua ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, viktima, e cila ishte bashkëshortja e personit të dyshuar, ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Reklamë

Ndërkaq, i dyshuari, i gjinisë mashkullore, ka pësuar po ashtu plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Sipas njoftimit të QKUK-së, ai ndodhet në gjendje të rëndë dhe kritike për jetën.

Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori i shtetit, ndërsa me urdhër të tij, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për kryerjen e autopsisë.

Prokuroria ka bërë të ditur se rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Prokurori i Shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti dhe sigurimit të provave relevante”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Reklamë