Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për vonesat në shpërndarjen e mjeteve për blerjen e teksteve shkollore.
Bajrami ka thënë se, më pak se dy javë para fillimit të vitit të ri shkollor, prindërit ende nuk i kanë marrë paratë dhe nuk e dinë se cilat tekste duhet t’i blejnë.
Sipas saj, prej kur Ministria e Arsimit ka kaluar në sistemin e subvencionimit të prindërve në vend të sigurimit të librave për nxënësit, çdo fillimviti shkollor shoqërohet me vonesa dhe probleme.
“Prej se Ministria vendosi që të mos ua sigurojë librat nxënësve, por t’ua qesë paratë prindërve në xhirollogari, çdo shtator e kemi të njëjtën katrahurë: aplikime, pritje për mjete, prindër që bredhin prej një librarie në tjetrën dhe fëmijë që e fillojnë mësimin pa i pasur të gjitha librat”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka thënë se prindërit kanë kërkuar rikthimin e sistemit të mëparshëm, në mënyrë që nxënësit t’i kenë librat në banka në fillim të vitit shkollor.
Bajrami ka kritikuar edhe vendimin e Ministrisë për t’u kërkuar prindërve që të mos i blejnë librat e rekomanduar nga shkollat, në pritje të udhëzimeve përkatëse.
“Çfarë dështimi. Ky nuk është vetëm maltretim i prindërve. Kjo është humbje në mësimnxënie për fëmijët, është regres”, ka deklaruar ajo.
Sipas deputetes së LDK-së, prindërit nuk po kërkojnë reforma të mëdha, por që nxënësit ta nisin vitin shkollor me librat e nevojshëm.
“A e dini çka po kërkojnë prindërit? Po kërkojnë që me një shtator, secili fëmijë të ulet në bankë me librat para vetes, gjë që ka ndodhë në Kosovë më shumë se një dekadë”, ka shkruar ajo.
Bajrami ka përfunduar duke thënë se, nëse Ministria nuk arrin ta sigurojë edhe këtë, atëherë problemi, sipas saj, nuk është te librat, por te qeverisja.
“Tash e gjashtë vjet dështim pas dështimi”, ka përfunduar Bajrami.