Një zjarr që ra në një klub nate në kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok, vrau 27 persona dhe plagosi dhjetëra të tjerë. Pamjet e publikuara në mediat ndërkombëtare tregojnë momentet e para, ku shihet tymi i dendur del nga ndërtesa përpara se një flakë e madhe të shpërthejë nga hyrja kryesore e pub-it dhe njerëzit që vrapojnë duke bërtitur.
Sipas dëshmitarëve okularë, pjesa më e madhe e viktimave kishin vrapuar në pjesën e pasme të lokalit, drejt tualeteve, ku nuk kishte asnjë dalje.
Rreth 70 persona mbetën të plagosur, 25 prej të cilëve në gjendje të rëndë. Paraprakisht dyshohet se zjarri është ndezur rreth mesnatës nga një qark i shkurtër elektrik në një kondicioner në tavanin e lokalit.
Policia po heton për neglizhencë dhe mosrespektimin e rregullave të sigurisë, pasi disa dalje ishin të bllokuara ose të kyçura dhe materiale të ndezshme ishin përdorur për izolimin e zhurmave.
Pronari i biznesit ishte midis personave të plagosur rëndë dhe policia po kërkonte të intervistonte stafin.
Pub-i ndodhet në një kryqëzim shumë të frekuentuar nga vendas dhe turistë në Bangkokun verior, i lidhur nga sistemet hekurudhore urbane dhe ngjitur me dy qendra tregtare.