Të paktën 37 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të menjëhershme që goditën rajonin bregdetar të Safit në Marok, bëri të ditur televizioni shtetëror.

Reshjet e rrëmbyeshme të shiut që ranë të dielën shkaktuan kaos në qytetin-port të Safit, ku automjete dhe grumbuj mbeturinash u panë teksa përfshiheshin nga uji dhe përplaseshin në rrugë.

Autoritetet lokale raportojnë se dhjetëra persona po marrin trajtim në spital për shkak të plagëve të pësuara, ndërsa të paktën 70 banesa janë përmbytur në qendrën e vjetër të qytetit.

Reklamë

Sipas raportimeve lokale, hyrja dhe dalja nga qyteti është bllokuar në disa segmente rrugore për shkak të dëmeve të shumta dhe mbetjeve të sjella nga uji.

Banorët e përshkruan të dielën si një ditë të errët.

“Kam humbur të gjitha rrobat. Vetëm një fqinj më dha diçka për t’u mbuluar. Nuk më ka mbetur asgjë. I kam humbur të gjitha”, tha një prej tyre.

Një tjetër i mbijetuar u shpreh se pret praninë e mjeteve të qeverisë për të larguar ujin nga zonat e përmbytura.

Autoritetet marokene bëjnë me dije se operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë ende.

Reklamë

Ekspertët thonë se kriza klimatike ka ndikuar pjesërisht në luhatjet ekstreme të motit që po përjeton vendi i Afrikës së Veriut. Maroku ka kaluar shtatë vite radhazi thatësire, duke boshatisur rezervuarët ujorë, ndërsa viti i kaluar u shpall zyrtarisht si më i nxehti i regjistruar ndonjëherë.

Sipas shërbimit meteorologjik maroken, reshjet e dendura pritet të vazhdojnë edhe të martën, të shoqëruara me reshje dëbore në malet Atlas.