Dhuna në provincën jugore të Suweida, është shoqëruar me viktima të shumta.

Brenda një jave, janë regjistruar të paktën 940 persona të vrarë, sipas raportit të ri të publikuar nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR). Sipas kësaj organizate, 588 prej viktimave janë druzë dhe 326 luftetarë. Nga viktimat civilë, raportohet se 182 prej tyre u ekzekutuan menjëherë nga forcat siriane.

Sulmet izraelite, kanë vrarë gjithashtu dhe 15 anëtarë të forcave qeveritale, siç bëjnë me dije Kombet e Bashkuara.

Reklamë

Për të marrë në dorë situatën, Presidenca e përkohshme e Sirisë ka dërguar forca të reja ushtarake në jug të vendit, me qëllim ndalimin e përplasjeve mes grupeve të armatosura.

Zyra e presidentit të përkohshëm, Ahmed al-Sharaa, u bëri thirrje të gjitha palëve që të tregojnë përmbajtje, ndërkohë që raportimet flasin për rifillim të luftimeve pranë qytetit të Suweid-ës të premten.

Izraeli ka goditur objektiva në Siri këtë javë për të detyruar trupat qeveritare të tërhiqen nga provinca e Suëeidës, ku komuniteti druzi është shumicë. Të premten, ambasadori amerikan në Turqi, Tom Barrack, njoftoi në platformën X se Izraeli dhe Siria kanë rënë dakord për një armëpushim të mbështetur nga Turqia dhe Jordania.

“Kërkojmë nga druzët, beduinët dhe sunitët të lënë armët dhe së bashku me pakicat e tjera të ndërtojnë një identitet të ri sirian, të bashkuar dhe në paqe me fqinjët”, tha ambasadori Barrack.

As Siria dhe as Izraeli nuk e kanë komentuar publikisht marrëveshjen për armëpushim.

Reklamë

Një zyrtar izraelit konfirmoi se Izraeli ka pranuar hyrjen e kufizuar të forcave të Sigurisë së Brendshme Siriane në Suweida për 48 orë, me qëllim mbrojtjen e civilëve druzi për shkak të situatës së paqëndrueshme.

Komuniteti druzi në Siri, që ndjek një besim të fshehtë e të veçantë të rrënjosur në Islamin Shiit, është një nga pakicat më të ndjeshme ndaj dhunës sektare dhe historikisht ka shprehur mosbesim ndaj qeverisë aktuale të Damaskut.

Dhuna kundër druzëve po përhapet edhe në pjesë të tjera të Sirisë, raportoi për BBC korrespondentja e Lindjes së Mesme, Lina Sinjab.

Kreu i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, deklaroi këtë javë se ka marrë raportime të besueshme për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë ekzekutime të menjëhershme dhe vrasje arbitrare në Suweid-ë. Sipas tij, përgjegjës për këto akte janë forcat e sigurisë, grupe të lidhura me qeverinë e përkohshme, por edhe grupe të armatosura druzi dhe beduine.

Reklamë

Në një fjalim televiziv të enjten, presidenti i përkohshëm Ahmed al-Sharaa premtoi se do të mbajë përgjegjës ata që kanë kryer dhunë ndaj komunitetit druzi, të cilët sipas tij janë “nën mbrojtjen dhe përgjegjësinë e shtetit sirian”.

Ai akuzoi “grupe të paligjshme” që sipas tij kanë refuzuar dialogun për muaj me radhë.

Siria po përballet me një situatë të re kritike, me rrezik për përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës sektare, në një rajon tashmë të lodhur nga lufta civile.