Popullsia e Bashkimit Evropian ka arritur në një rekord prej 450.4 milionë banorësh në vitin 2024, të nxitur kryesisht nga migracioni, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat. Që nga viti 2012, numri i vdekjeve në BE ka tejkaluar atë të lindjeve, duke e bërë migracionin burimin e vetëm të rritjes demografike.

Sipas raportit, blloku shtoi 1.07 milionë banorë vitin e kaluar, falë një migrimi neto pozitiv prej 2.3 milionë personash, i cili kompensoi rënien natyrore prej 1.3 milionë banorësh. Në total, u regjistruan 4.82 milionë vdekje krahasuar me 3.56 milionë lindje.

Kjo prirje vë në qendër të vëmendjes sfidat demografike të Evropës, ku plakja e popullsisë dhe normat e ulëta të lindshmërisë po vënë në presion sistemet sociale dhe po thellojnë mungesat në tregun e punës.

Reklamë

Franca, Gjermania dhe Italia mbeten vendet me popullsinë më të madhe, duke përfaqësuar së bashku 47% të banorëve të BE-së. Nga 27 vendet anëtare, 19 regjistruan rritje të popullsisë, ndërsa 8 shënuan rënie.

Rritjen më të lartë e pati Malta me 19 banorë për çdo 1000 persona, ndjekur nga Irlanda (16.3) dhe Luksemburgu (14.7). Ndërsa rënien më të theksuar e regjistroi Letonia me -9.9, pasuar nga Hungaria (-4.7), dhe Polonia e Estonia me nga -3.4.

Për krahasim, popullsia e BE-së në vitin 1960 ishte 354.5 milionë banorë.