Raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në territoret palestineze, Francesca Albanese, e cilësuar nga SHBA me sanksione vetëm pak ditë më parë, ka vlerësuar si “zhvillimin më të rëndësishëm politik të 20 muajve të fundit” konferencën ndërkombëtare që nisi këtë të martë në Bogotá të Kolumbisë.

Në këtë samit marrin pjesë 30 shtete, mes tyre Kina, Spanja dhe Katari, të cilat pritet të hartojnë hapa konkretë për zbatimin e opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që shpall si të paligjshëm pushtimin izraelit të Palestinës.

Konferenca synon që shtetet pjesëmarrëse të përcaktojnë masa të qarta politike, ekonomike dhe ligjore për të ndihmuar në përfundimin e pushtimit. Vendimi i OKB-së i jep afat deri në shtator 2025 për zbatimin e opinionit të Gjykatës së Hagës, e cila thekson se “arsyet e sigurisë nuk justifikojnë mbajtjen e territorit të pushtuar” dhe i kërkon Izraelit ta përfundojë pushtimin “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Reklamë

“Për shumë kohë, ligji ndërkombëtar është trajtuar si opsional, i zbatuar për të dobëtit dhe i anashkaluar nga të fuqishmit. Ky standard i dyfishtë ka gërryer themelet e rendit ligjor ndërkombëtar. Është koha që kjo epokë të marrë fund”, tha Albanese në fjalën e saj.

Sipas saj, mbështetja e gjerë në Bogotá tregon se një numër në rritje shtetesh janë gati të thonë “mjaft” dhe të ndjekin një rrugë drejt drejtësisë e paqes, të bazuar në të drejtat për të gjithë, jo në privilegje për disa në kurriz të të tjerëve.

Albanese theksoi se sanksionet e vendosura ndaj saj nga Departamenti Amerikan i Shtetit nuk do ta ndalin: “Nuk është fjala për mua, por për drejtësinë për popullin palestinez në momentin më kritik të historisë së tyre.”

Në konferencë marrin pjesë edhe vende si Brazili, Algjeria, Indonezia, Spanja, si dhe vende nga Amerika Latine. Presidenti i Kolumbisë dhe mikpritësi i samitit, Gustavo Petro, tha se bota po kalon nga thirrjet për ndalim të sulmeve izraelite, në masa konkrete për ta ndalur ato.

Pritet që konferenca të prodhojë një plan të detajuar veprimi, përfshirë embargo ndaj armëve dhe ndalimin e anijeve me pajisje ushtarake në portet e këtyre vendeve.

Reklamë