Jair Bolsonaro nuk do të burgoset. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Brazilit, Alexandre de Moraes, ka vendosur këtë të enjte, më 24 korrik, që të mos e urdhërojë arrestimin e ish-presidentit të Brazilit, Jair Bolsonaro, për atë që e quajti një shkelje “të izoluar” të kufizimeve të vendosura nga gjykata, por paralajmëroi se ai mund të përfundojë në burg për shkelje të ardhshme.

Kështu raporton sot agjencia e lajmeve “Reuters”, duke iu referuar dokumenteve gjyqësore.

Gjyqtari Moraes, i cili po gjykon çështjen ku Bolsonaro akuzohet për përpjekje për puç, javën e kaluar urdhëroi që ai të mbante një pajisje elektronike në këmbë dhe i ndaloi përdorimin e rrjeteve sociale, për shkak të dyshimeve se ai kishte kërkuar ndërhyrjen e presidentit amerikan Donald Trump, që vendosi tarifat 50% mbi importet braziliane në atë që e quante një “gjueti shtrigash” kundër ish-presidentit.

Reklamë

Bolsonaros nuk i ndalohej vetëm të shfaqej në video dhe audio në mediat e vfeta sociale, por edhe të shfaqej në ato të publikuara nga palë të treta. Menjëherë pas kësaj, Bolsonaro foli me gazetarët ndërsa po largohej nga Kongresi, ku ishte takuar me ligjvënësit e opozitës. Ai u tregoi atyre pajisjen elektronike që i kishin vënë në kyçin e këmbës, duke e quajtur atë “një simbol të poshtërimit më të madh”.

Pamjet e ndërveprimit u ndanë në mediat sociale nga i biri Eduardo Bolsonaro dhe mbështetësit e babait të tij, në atë që Moraes e quan shkelje të kufizimeve që ai kishte vendosur.

Bolsonaro është në gjyq për dyshimin se ka komplotuar një grusht shteti për të penguar presidentin Luiz Inácio Lula da Silva të marrë detyrën në vitin 2023, gjë që ai e mohon. Bolsonaro këmbëngul se nuk e ka menduar kurrë të largohet nga Brazili dhe e quajti gjyqtarin Moraes një “diktator“.

Policia më parë kishte akuzuar Bolsonaron dhe djalin e tij se po përpiqeshin të pengonin gjyqin kundër ish-presidentit dhe se po shkelnin sovranitetin e Brazilit duke inkurajuar qeverinë amerikane të ndërhynte në gjyq.