Një ish-agjent sigurie amerikan që ka punuar për Fondacionin Humanitar të Gazës (GHF), një organizatë e diskutueshme dhe e mbështetur nga SHBA-të, ka deklaruar në një intervistë për televizionin izraelit Channel 12 të martën, se “qendrat e ndihmës e trajtonin shumë keq popullsinë dhe e vinin atë në rrezik”. Po ashtu ish-agjenti shtoi se “duhet t’i jepet fund kësaj”.

L’Orient Le Jour shkruan se agjenti kritikoi sjelljen e pamatur dhe të pandjeshme të stafit të GHF-së dhe rrëfeu një incident në të cilin një palestinez që po mblidhte ushqim nga toka u spërkat me gaz lotsjellës nga rojet e sigurisë amerikane, ndonëse nuk përbënte asnjë kërcënim. Ai përshkroi gjithashtu një rast tjetër, ku një punonjës i GHF-së hodhi një granatë çorientuese direkt mbi një grua palestineze, e cila ra përtokë.

“Në atë moment kuptova se nuk mund të vazhdoja më,” tha ai.

Reklamë

Ish-agjenti amerikan shtoi: “Ndërsa palestinezët po përfundonin me grumbullimin e ndihmave në vendin e shpërndarjes, rojet e sigurisë amerikane nisën t’u qëllonin në këmbë, në tokë, për t’i larguar.”
“Gjatë gjithë shërbimit tim ushtarak, nuk kam parë kurrë një përdorim të tillë force ndaj civilëve të paarmatosur. Dhe nuk do të bëhem pjesë e kësaj tani,” përfundoi ai.

Në një deklaratë zyrtare, GHF i hodhi poshtë akuzat dhe tha se kontraktori në fjalë ishte pushuar nga puna për sjellje të keqe.

Ndërkohë, OKB-ja ka akuzuar ushtrinë izraelite për vrasjen e më shumë se 1 mijë personave në Gaza që nga fundi i majit, shumica pranë qendrave të GHF-së, teksa ata kërkonin ndihma humanitare.

Po ashtu, në fillim të korrikut, dy punonjëse të një nënkontraktori amerikan të GHF-së që merret me sigurinë e shpërndarjeve të ndihmave, dëshmuan për agjencinë Associated Press (AP) mbi praktikat e rrezikshme dhe të papërgjegjshme të fondacionit.

Ato përshkruan përdorimin e rregullt të granatave dhe gazit lotsjellës ndaj palestinezëve që kërkonin ndihmë, madje edhe kur nuk kishte kërcënim të drejtpërdrejtë prej tyre. Njëra prej tyre deklaroi se plumba të vërtetë janë qëlluar në mënyrë të pakontrolluar në ajër, në tokë dhe të paktën një person është qëlluar.

Reklamë