Izraeli i ka dorëzuar trupat e 30 palestinezëve autoriteteve shëndetësore në Gaza të premten, duke përmbyllur një shkëmbim pas dorëzimit të dy pengjeve izraelite, një shenjë që sipas Associated Press tregon se marrëveshja e tensionuar e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit po ecën përpara.

Ky përparim vjen pavarësisht sulmeve ajrore izraelite mbi Gazën këtë javë, që shkaktuan mbi 100 viktima pas vrasjes së një ushtari izraelit.

Trupat u transferuan me ndërmjetësimin e Kryqit të Kuq. Dorëzimi i trupave të pajetë u konfirmua nga një mjek në Spitalin Nasser në qytetin Khan Younis, ku stafi mjekësor po përpiqet të identifikojë trupat.

Reklamë

Fotot që kanë qarkulluar në media tregojnë trupat e pajetë në qese të bardha, të rreshtuara në oborrin e spitalit. Autoritetet shëndetësore po përballen me vështirësi në identifikimin e tyre për shkak të mungesës së pajisjeve për realizimin e një analize ADN-je.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, numri total i trupave palestinezë të dorëzuar nga Izraeli ka arritur në 225, por vetëm 75 prej tyre janë identifikuar nga familjet. Nuk është e qartë nëse trupat e dorëzuar janë vrarë në Izrael gjatë sulmit të 7 tetorit 2023, kanë vdekur në paraburgim apo janë rikuperuar nga Gaza gjatë luftës.

Munir al-Bursh, drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, tha në një postim në rrjetin social X: “Mishi i tyre ishte shkrirë, fytyrat ishin shpërfytyruar nga zjarri, duke lënë pas vetëm kockat dhe dhëmbët.”

Ushtria izraelite ka deklaruar më parë për Associated Press se të gjitha trupat e dorëzuara deri tani janë të luftëtarëve, por kjo nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur. Ushtria ka theksuar se vepron në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Al-Bursh shtoi se shumica e trupave duket se janë luftëtarë ose persona të vrarë gjatë sulmit të vitit 2023, por disa familjarë që kanë identifikuar të afërmit e tyre thonë se ata nuk ishin luftëtarë.

Reklamë

Në Izrael nga ana tjetër, zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu konfirmoi se mbetjet e dorëzuara nga militantët palestinezë i përkisnin Sahar Baruch dhe Amiram Cooper, të dy pengje të marra gjatë sulmit të vitit 2023.

Hamasi ka dorëzuar deri tani mbetjet e 17 pengjeve që nga fillimi i armëpushimit, ndërsa 11 të tjerë ndodhen ende në Gaza dhe pritet të dorëzohen sipas marrëveshjes.

Të premten, një grup i vogël izraelitësh u mblodh në sheshin e njohur si “Sheshi i Pengjeve”, duke u lutur së bashku për kthimin e trupave të pengjeve që ndodhen ende në Gaza.

“Ne nuk mund të dorëzohemi derisa të gjithë, të gjithë trupat, të jenë këtu,” tha Rimona Velner, një banore e Tel Avivit që mori pjesë në tubim. “Është shumë e rëndësishme për familjet dhe për ne… për ta mbyllur këtë rreth.”

Reklamë