Familjes së aktivistit palestinez Awdah Hathaleen, i cili ka kontribuar në realizimin e dokumentarit fitues të çmimit “Oscar”, “No other land” dhe që u vra javën e kaluar nga një kolon izraelit në Bregun Perëndimor, ende nuk i është kthyer trupi dhe i mohohen funeralet.

La Repubblica shkruan se aktivist 31-vjeçar, Hathaleen, që luftonte për të penguar dëbimet e banorëve të fshatit Masafer Yatta nga shtëpitë e tyre nga ana e Izraelit, u vra me armë zjarri nga kolonisti Yinon Levi, i cili u lirua një ditë më parë nga arresti shtëpiak me kusht që të qëndrojë larg personave të përfshirë në rast. Policia e ka akuzuar për vrasje nga pakujdesia dhe përdorim të paligjshëm të armës së zjarrit, por gjykata ka refuzuar kërkesën për zgjatjen e paraburgimit.

Sipas organizatës Peace Now, të shtënat ndodhën ndërsa Hathaleen përpiqej së bashku me aktivistë të tjerë të pengonte Levi-n që të shkatërronte tubacionin kryesor të ujit për fshatin palestinez. Levi prej kohësh ndodhet në listën e kolonëve të sanksionuar nga Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Europian.

Reklamë

Deri tani, autoritetet izraelite kanë refuzuar të kthejnë trupin e aktivistit për varrim dhe kërkojnë nga familja që të pranojë kushte të caktuara për dorëzimin e kufomës, përfshirë kufizimin e funeralit në 15 persona.

Fathi Nimer, bashkëdrejtues i Palestinian Policy Network Al-Shabaka, thotë se fshehja e trupit të Hathaleen është një strategji për “thyerjen e shpirtit të familjes dhe komunitetit të aktivistit”.

“Këta kolonë nuk shfaqen nga hiçi. Ata mbështeten nga shteti, kanë energji elektrike, mbështetje ushtarake dhe nuk bëhet fjalë vetëm për individë të veçantë – ndaj sanksionet ndaj individëve nuk do të jenë zgjidhje, ashtu si nuk janë, fatkeqësisht, as marshimet,” tha Nimer në një intervistë për Al Jazeera.

“Aktivitete ndërkombëtare janë të nevojshme për të sanksionuar Izraelin dhe për të ndaluar këtë lloj sjelljeje,” shtoi ai. “Yinon Levi tani është kthyer në fshat për të zgjeruar vendbanimin ilegal pranë, vetëm një javë pasi vrau me gjakftohtësi Hathaleen,” denoncon sot në Instagram një nga regjisoret e “No other Land”, Yuval Abraham, duke postuar një video të Levi-t. Ndërkohë, “familjarët e Awdah janë ende në burg dhe policia refuzon të kthejë trupin e tij,” kujton Abraham.