Real Madridi dhe Barcelona nuk kanë hequr dorë nga ideja për të transferuar Erling Haalandin, duke shpresuar që të realizojnë një prej marrëveshjeve më të bujshme në historinë e futbollit.
Edhe pse sulmuesi norvegjez ka kontratë me Manchester Cityn deri në qershor të vitit 2034, të dy gjigantët spanjollë besojnë se ai mund të largohet nga Anglia shumë më herët.
Sipas raportimeve të TEAMtalk, Real Madridi dhe Barcelona vazhdojnë të mbajnë kontakte të rregullta përmes ndërmjetësve, pasi nuk kanë hequr dorë nga mundësia për ta transferuar yllin norvegjez gjatë vitit të ardhshëm.
Një prej faktorëve që mund të ndikojë në të ardhmen e Haalandit është pakënaqësia e tij me paraqitjet e fundit të Manchester Cityt, veçanërisht pas largimit të Pep Guardiolës nga stoli dhe emërimit të Enzo Marescas.
Sipas raportimit, sulmuesi dhe disa prej bashkëlojtarëve të tij kanë shfaqur shenja të dukshme frustrimi për shkak të rezultateve të dobëta në javët e fundit.
Manchester City nuk ka arritur të bindë as në Ligën Premier, ku renditet në pozitën e tretë, gjashtë pikë prapa liderit Arsenal, dhe as në Ligën e Kampionëve, ku ka grumbulluar vetëm 10 pikë nga 15 të mundshme.
Një tjetër shqetësim për Haalandin është edhe kërcënimi i sanksioneve ndaj Manchester Cityt për shkeljet e pretenduara të rregullave të Fair Play Financiar. Klubi mund të përballet me dënime të rënda, përfshirë edhe zbritjen administrative nga kategoria, në rast se akuzat vërtetohen.
Për më tepër, sipas raportimit, në kontratën e norvegjezit ekziston një klauzolë që mund t’ia lehtësojë largimin nëse ai vendos të kërkojë një aventurë të re.
