Herët të premten në mëngjes, pas një takimi të kabinetit të sigurisë së Izraelit që zgjati disa orë në Jerusalem, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu lëshoi një deklaratë duke duke konfirmuar miratimin e planit për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës.
Zyra e kryeministrit të Izraelit tha se kabineti i sigurisë kishte miratuar planin për të “mposhtur Hamasin” dhe ushtria do të përgatitej të merrte kontrollin e Qytetit të Gazës, duke siguruar atë që e përshkroi si “ofrimin e ndihmës humanitare për popullsinë civile jashtë zonave të luftimit”, raporton CNN.
Kabineti i sigurisë votoi me shumicë votash për të miratuar atë që e quajti “pesë parimet për t’i dhënë fund luftës”, duke përfshirë kontrollin e sigurisë izraelite të Gazës dhe krijimin e një administrate civile që nuk është as Hamasi dhe as Autoriteti Palestinez, transmeton në shqip gazeta online Reporteri.net.
Përpara mbledhjes së kabinetit, Netanyahu u pyet nëse Izraeli planifikon të marrë kontrollin ushtarak të të gjithë Gazës. “Ne synojmë ta bëjmë këtë,” tha Netanyahu për Fox News. Ai pretendoi se Izraeli synon të “largojë Hamasin” në Gaza, përpara se t’ia dorëzojë territorin “qeverisjes civile që nuk është Hamasi, dhe askujt që mbështet shkatërrimin e Izraelit”.
Plani përfshinë “pesë parime për përfundimin e luftës”, thuhet në deklaratë.
“IDF do të përgatitet të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës, duke ofruar ndihmë humanitare për popullsinë civile jashtë zonave të luftimit”, thuhet në të, duke detajuar parimet e mëposhtme për përfundimin e luftës”:
Çarmatimi i Hamasit
Kthimi i të gjithë pengjeve – të gjallë dhe të vdekur
Çmilitarizimi i Rripit të Gazës
Kontrolli i sigurisë izraelite mbi Rripin e Gazës
Ekzistenca e një qeverie alternative civile që nuk është Hamasi ose Autoriteti Palestinez