Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, ka bërë një sulm të ashpër ndaj kryeministrit britanik Keir Starmer, pas kërkesës së Londrës për të ndalur përshkallëzimin në Gaza.

“Pra,” shkroi ai në rrjetin social X. “Izraeli duhet t’i dorëzohet Hamasit dhe t’i ushqejë ata, edhe pse pengjet izraelite po lihen të vdesin nga uria? Mos vallë Mbretëria e Bashkuar iu dorëzua nazistëve dhe u hodhi atyre ushqim?”

Ambasadori amerikan në Izrael kujtoi dhe bombardimin e Dresdenit nga aleatët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Reklamë

“A ke dëgjuar ndonjëherë për Dresdenin, kryeministër Starmer?”, shtoi më tej. “Nuk ishte ushqim ajo që hodhët ju. Nëse do të ishe kryeministër atëherë, sot Mbretëria e Bashkuar do të fliste gjermanisht.”

Bombardimi i Dresdenit në shkurt të vitit 1945 besohet se vrau dhjetëra mijëra civilë. Ai mbetet një nga veprat më kontroverse të aleatëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, për shkak të dyshimeve mbi nevojën strategjike dhe shkatërrimit të gjerë në zonat civile.

Huckabee nuk u ndal me kaq.

Në një postim tjetër, Huckabee pyeti se sa ushqim kishte dërguar Mbretëria e Bashkuar në Gaza.

“Kryeministri izraelit”, vazhdoi ai, “ka dërguar tashmë dy milionë tonë ndihma, dhe asgjë nga kjo nuk arrin te pengjet.”

Reklamë

Në fund ambasadori amerikan shton: “Ndoshta kryeministri britanik duhet të tërhiqet dhe të ndjekë shembullin e Ligës Arabe, e cila ka deklaruar se Hamasi duhet të çarmatoset dhe të lirojë menjëherë të gjithë pengjet.”