Policia turke shpërndau me forcë një protestë kundër NATO-s në qendër të Ankarasë, vetëm pak orë përpara nisjes së samitit të Aleancës, ku pritet të marrin pjesë drejtuesit e 32 vendeve anëtare.
Protestues të shumtë, të organizuar nga Partia Komuniste e Turqisë (TKP), u mblodhën në sheshin qendror Kizilaj me flamuj dhe pankarta, duke brohoritur slogane si “NATO vrasëse, dil nga vendi ynë” dhe “Nuk ka kalim për NATO-n”.
Pak minuta pas nisjes së tubimit, forca të shumta policie rrethuan protestuesit, me qëllimin ndërprerjen e demonstratës. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë policinë duke përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit tentonin të vijonin marshimin.
Sipas Partisë Komuniste të Turqisë, më shumë se 100 persona, përfshirë drejtues të partisë, u ndaluan nga autoritetet.
Masat e sigurisë në Ankara janë shtuar ndjeshëm në prag të samitit të NATO-s. Autoritetet kanë ndaluar protestat publike, kanë bllokuar zona të tëra të kryeqytetit dhe kanë kufizuar qarkullimin në disa akses rrugore, me synimin për të garantuar sigurinë e delegacioneve ndërkombëtare.
Ndërkohë, protesta kundër NATO-s u zhvilluan edhe në Stamboll, por ndryshe nga Ankaraja, manifestimet në Stamboll u zhvilluan nën mbikëqyrje të rreptë policore, por pa përplasje.
Partia Komuniste e Turqisë deklaroi se protestat synonin të shprehnin kundërshtimin ndaj pranisë dhe politikave të NATO-s në Turqi.
Nga ana tjetër, opozita dhe përfaqësues të partive pro-kurde kritikuan ndalimet nga policia, duke e cilësuar si një kufizim të të drejtave themelore dhe të lirisë së tubimit në prag të samitit.