Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kërkoi veprim ndërkombëtar për të ndaluar furnizimin me armë të forcave paramilitare RSF në Sudan, të akuzuara për masakra në el-Fasher.
Në takimin e G7 në Kanada, Rubio tha se RSF ka kryer krime të rënda, përfshirë përdhunime dhe vrasje ndaj civilëve. Ushtria sudaneze akuzon Emiratet e Bashkuara Arabe për dërgim armësh e mercenarësh, akuza që Emiratet i mohojnë. Rubio tha se “dihet kush janë palët e përfshira në furnizimin me armë”.
Ai shtoi se SHBA-ja po punon me Egjiptin, Arabinë Saudite dhe Emiratet në kuadër të grupit “Quad” për t’i dhënë fund luftës. Konflikti mes ushtrisë dhe RSF nisi në prill 2023 dhe është shndërruar në një luftë civile shkatërruese.
El-Fasher u pushtua nga RSF pas një rrethimi 18-mujor, me raportime, për masakra ndaj popullsisë jo-arabe. Sipas SHBA-së dhe organizatave humanitare, RSF po kryen gjenocid në Darfur. Pamjet satelitore tregojnë trupa të pajetë dhe shkatërrim masiv.
Rubio paralajmëroi se mijëra persona, mund të jenë vrarë ose të kenë vdekur nga uria. Ai kërkoi ndalimin e menjëhershëm të dërgesave të armëve drejt RSF.
Një raport i OKB-së tregon se armët hyjnë përmes Emirateve dhe Çadit drejt Darfurit. Amnesty International ka identifikuar armë nga Rusia, Kina, Turqia, Serbia dhe Emiratet. G7 dënoi dhunën, duke e quajtur “krizën më të madhe humanitare në botë”. Lufta ka lënë mbi 150 mijë të vdekur dhe ka zhvendosur mbi 12 milionë njerëz. /BBC/