Rreth 100 fëmijë që u rrëmbyen muajin e kaluar nga një shkollë katolike në Nigerinë qendrore janë liruar.
Shefi i policisë së shtetit Niger, Adamu Abdullahi Elleman, dhe ipeshkvi Bulus Dauwa Yohanna, i cili është përgjegjës për shkollën si udhëheqës lokal i komunitetit katolik, i thanë BBC-së se kishin marrë konfirmimin për lirimin e nxënësve. Ata thanë se lajmi ishte konfirmuar nga këshilltari i sigurisë kombëtare të presidentit, por ipeshkvi Yohanna shtoi se nuk ishte e qartë se kur fëmijët do të ribashkoheshin me prindërit e tyre.
Më shumë se 250 nxënës dhe 12 punonjës u rrëmbyen nga shkolla katolike Shën Maria në Papiri, në sulmin më të fundit të një vale rrëmbimesh masive. Yohanna tha se supozonte që autoritetet mund të kenë nevojë për kohë për të marrë nxënësit dhe për t’u ofruar mbështetjen e nevojshme para se të shpallin dorëzimin zyrtar. Po ashtu shtoi se nuk e dinte vendndodhjen aktuale të fëmijëve.
Detajet mbi lirimin e tyre mbeten të paqarta, madje nuk dihet as nëse kjo u sigurua përmes negociatave apo me forcë, dhe nëse u paguan shpërblime.
Guvernatori i shtetit fqinj Nasarawa, Abdullahi Sule, u tha mediave lokale se qeveria federale kishte luajtur një rol kyç në sigurimin e lirimit të fëmijëve, duke shtuar se përpjekjet në prapaskenë nuk mund të bëhen publike për arsye sigurie.
Shkollat dhe vendet e adhurimit janë bërë gjithnjë e më shpesh objektiv i sulmeve në valën e fundit të dhunës në veri dhe qendër të Nigerisë.
Sulmi ndaj shkollës së Shën Marias, më 21 nëntor, u parapri nga rrëmbime masive vetëm disa ditë më parë: më 18 nëntor, dy persona u vranë dhe 38 u rrëmbyen në një sulm ndaj Kishës Apostolike të Krishtit në shtetin Kwara, dhe një ditë më parë, dy persona u vranë dhe 25 nxënëse myslimane u rrëmbyen nga Shkolla e Mesme e Vajzave të Qeverisë në Kebbi. Të gjithë të rrëmbyerit në sulmet e ndodhura në Kwara dhe Kebbi janë liruar më pas.
Javën e kaluar, persona të armatosur rrëmbyen të paktën 20 njerëz në dy sulme të ndara, në një kishë të re në shtetin qendror Kogi, ku një pastor, bashkëshortja e tij dhe disa besimtarë u morën peng, dhe në shtetin verior kryesisht mysliman Sokoto, ku një nuse dhe shoqërueset e saj ishin mes të rrëmbyerve.
Nuk është e qartë kush qëndron pas këtyre rrëmbimeve, shumica e analistëve besojnë se kryhen nga banda kriminale që kërkojnë shpërblime. Megjithatë, një zëdhënës presidencial më herët i tha BBC-së se qeveria beson se janë vepra e grupeve xhihadiste.
Pagesa e shpërblimeve është shpallur e paligjshme në Nigeri për të ndërprerë burimet e financimit të bandave, por besohet se në shumë raste paratë ende vazhdojnë të dorëzohen.
Kriza e sigurisë në Nigeri tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare muajin e kaluar pasi presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, kërcënoi të dërgonte trupa nëse qeveria “vazhdon të lejojë vrasjen e të krishterëve”.
Zyrtarët dhe analistët nigerianë thonë se anëtarët e të gjitha besimeve janë viktima të dhunës dhe rrëmbimeve dhe se nuk është e vërtetë që të krishterët po shënjestrohen.