Luftën ndaj karteleve të drogës e merr në dorë Pentagoni.
Sipas gazetës New York Times, presidenti Donald Trump ka nënshkruar një direktivë sekrete me të cilën urdhëron përdorimin e forcës ushtarake kundër disa karteleve të drogës në Amerikën Latine. Administrata e tij i ka shpallur më parë organizata terroriste këto kartele.
Vendimi për të përfshirë ushtrinë amerikane në luftë me kartelet është hapi më agresiv deri më tani në fushatën e administratës kundër karteleve. Ai sinjalizon gatishmërinë e presidentit Trump për të përdorur forcat ushtarake ndërsa më parë luftën kundër trafikut të drogës e kanë pasur përgjegjësi e forcat zbatimit të ligjit.
Presidenti autorizon kështu operacione të drejtpërdrejta ushtarake në det dhe në tokë të huaj kundër karteleve. Zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë filluar të hartojnë plane mbi goditjen e karteleve, i thanë gazetës amerikane disa burime që kanë urdhrin.
Më herët presidenti ka dislokuar Gardën Kombëtare dhe trupa të ushtrisë në kufirin jugperëndimor për të penguar kalimin e drogës, si dhe të emigrantëve.
Kur u kthye në detyrë në janar, presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv me të cilin udhëzon Departamentin e Shtetit të etiketojë kartelet e drogës si organizata terroriste të huaja.