Më pak se 24 orë pasi iu rikthye e drejta për të kandiduar për poste publike, liderja e së djathtës ekstreme franceze, Marine Le Pen, ka nisur fushatën për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
Le Pen u prit nga mbështetësit në një treg në La Flèche, në jugperëndim të Parisit, ku shmangu komentet e gjata për çështjen gjyqësore dhe kërkoI që debati politik të përqendrohet tek problemet e qytetarëve francezë.
“Unë nuk do ta kaloj fushatën presidenciale duke dhënë analiza ligjore. Gjykata ka rikthyer të drejtën time për të kandiduar. Tani dua të flasim për politikën, sepse në lojë është e ardhmja e popullit francez. Ata presin përgjigje për problemet e përditshme: fuqinë blerëse, pasigurinë, çindustrializimin dhe pagat shumë të ulëta”, tha Le Pen.
Le Pen ishte dënuar vitin e kaluar për keqpërdorimin e më shumë se katër milionë eurove fonde të Bashkimit Europian.
Gjykata e Apelit konfirmoi fajësinë, por shkurtoi periudhën e ndalimit për kandidim, duke i hapur rrugën pjesëmarrjes së saj në zgjedhjet presidenciale.
“Gjykata e Apelit u dha votuesve lirinë për të zgjedhur. Nuk prisja asgjë më pak. Francezët e kanë ndjekur këtë çështje prej dhjetë vitesh dhe e dinë shumë mirë se akuzat ndaj nesh nuk justifikojnë një dënim penal”, tha Le Pen.
Edhe kreu i partisë Tubimi Kombëtar, Jordan Bardella, e përshëndeti vendimin, duke e cilësuar një mundësi që Le Pen të përfaqësojë sërish forcën politike në garën presidenciale.
“Jam i kënaqur që Marine do të mund të përfaqësojë partinë tonë dhe që është njohur pafajësia e pjesshme e Tubimit Kombëtar përballë asaj që në fillim dukej si një vendim shumë politik”, tha Bardella.
Me rikthimin në garë, Marine Le Pen synon për herë të katërt presidencën franceze dhe eshtë e para në histori që zhvillon fushatë me byzylykë gjurmues nga autoritetet.