Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, i ka dërguar një letër Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke pohuar se Irani ka një “plan strategjik” për të eliminuar shtetin izraelit, dhe ka theksuar se Izraeli është i vendosur të mbrohet.
“Irani ka një plan strategjik për të eliminuar Izraelin. Izraeli nuk mund dhe nuk do ta pranojë kërcënimin për shfarosje!” — shkroi Sa’ar në rrjetin X, duke ndarë edhe një kopje të letrës.
Në letrën e tij, ai shkruan se sulmi i Izraelit ndaj Iranit u realizua pasi ndodhi një zhvillim kritik në programin bërthamor të Iranit, dhe gjithashtu kishte për qëllim të parandalonte një kërcënim të menjëhershëm nga sulmet e tjera me raketa dhe nga grupet përfaqësuese të Iranit (proxies).
Vendimi për të sulmuar, shkruhet në letër, u mor “si një masë e fundit”, pasi kërcënimi u vlerësua si i pashmangshëm dhe i afërt.
/Reporteri.net/