Më 18 maj, në orët e natës, 4-vjeçari Mark Ifiemenko ndodhej në shtëpi me prindërit në qytetin e vogël Vasylkiv, pranë kryeqytetit ukrainas, Kiev. Ndërsa shpërthimet trondisnin zonën, nëna e tij e zbriti me nxitim poshtë, së bashku me gjyshërit.

Më vonë u konfirmua se gjatë asaj nate, Rusia kishte kryer njërin prej sulmeve më të mëdha ndaj Ukrainës që nga fillimi i pushtimit, me mbi 270 dronë dhe raketa që depërtuan në hapësirën ajrore të vendit.

Familja e Markut u fsheh në një dhomë që e konsideronin më të sigurt, e mbrojtur nga të paktën dy mure nga jashtë, një rregull që shumë ukrainas e kanë mësuar për të mbijetuar. Ndërkohë, babai i tij, Sergey, shkoi në kuzhinë për të mbyllur gazin, por pikërisht në atë moment, një dron Shahed, me përmasa sa një makinë e vogël, goditi shtëpinë.

Reklamë

“Pashë që po qëndroja mbi trupin e gruas sime… Edhe e vdekur, ajo ishte e mbështjellë rreth Markut për ta mbrojtur. Kudo kishte tym dhe pluhur, s’mund të merrja frymë. Fillova të bërtas për t’i gjetur dhe vrapova drejt dhomës ku ishin”, thotë Sergey, 31 vjeç, i cili ishte kthyer në shtëpi vetëm një javë më parë nga fronti i luftës.

“I pari që pashë ishte babai dhe nëna ime, të dy të plagosur. E pyeta nënën se ku ishte Anna [gruaja] dhe Marku, dhe ajo më tha që Anna nuk ishte më. Kur ndeza elektrikun, pashë që po qëndroja mbi trupin e saj… një copëz e dronit i kishte përshkuar kokën. Edhe e vdekur, ajo ishte e mbështjellë rreth Markut që qante”, rrëfen ai.

Pas kësaj, Sergey e nxori të birin nga përqafimi i nënës së vdekur dhe e dërgoi me nxitim në shtëpinë e një të afërmi, ndërkohë që ai u kthye për të ndihmuar prindërit e tij. Të nesërmen, Marku u transportua në spitalin pediatrik Ohmatdyt në Kiev, ku kaloi 10 ditë në kujdes intensiv, shumicën e kohës në gjendje kome.

Marku mbijetoi, thotë Sergey, falë reagimit të shpejtë të nënës së tij, por ka pësuar lëndime të rënda dhe një traumë që do të kërkojë vite për t’u shëruar. Ai ka fraktura në kafkë, hundë të shtypur dhe ka humbur shikimin në njërin sy.


Sipas të dhënave, numri i fëmijëve të vrarë ose të plagosur në Ukrainë është rritur ndjeshëm muajt e fundit, me 222 raste të reja vetëm mes marsit dhe majit të këtij viti, dhe mbi 2 mijë e 800 që nga fillimi i pushtimit. Kombet e Bashkuara theksojnë se shifra reale mund të jetë edhe më e lartë, për shkak të vështirësive në verifikimin e rasteve.

Reklamë

Grupet për të drejtat e fëmijëve në Ukrainë thonë se sulmet nuk janë të rastësishme dhe kërkojnë dënime më të forta nga komuniteti ndërkombëtar.

“Sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, sulmet e qëllimshme ndaj infrastrukturës civile – veçanërisht shkollave, spitaleve dhe vendeve ku mblidhen fëmijët, përbëjnë krim lufte”, thotë Daria Kasyanova, kryetare e Rrjetit për të Drejtat e Fëmijëve në Ukrainë.

Amnesty International deklaron se ka dokumentuar “shumë raste të sulmeve të pakontrolluara të forcave ruse në Ukrainë, që kanë shkaktuar mijëra viktima civile”, duke theksuar se këto përbëjnë krime lufte.

Edhe nëse lufta përfundon, Ukraina do të mbetet një nga vendet me përqindjen më të lartë të rrezikut nga mbetjet shpërthyese të luftës dhe minat tokësore, një kërcënim që do të vazhdojë të marrë jetë, veçanërisht të fëmijëve.

Reklamë

Për fëmijë si Marku që kanë mbijetuar, plagët, fizike dhe emocionale, janë rrënjësore. Sipas një sondazhi të UNICEF, një në pesë fëmijë ukrainas ka humbur një të afërm në luftë, një vëlla, prind apo mik.

“Pyet shpesh për mamin dhe e ndjen shumë mungesën e saj. I kam treguar të vërtetën për atë që ndodhi me të. I them se ajo e donte shumë dhe bëri gjithçka që ai të ishte i lumtur. I them se tani është engjëlli i tij mbrojtës”, thotë Sergey.

Përveç vizitave të rregullta në spital për kurim dhe kohët e fundit për të vendosur një sy protetik, Sergey thotë se i biri ka probleme me gjumin, të mësuarit dhe zhvillimin.

“Reagon ndaj çdo zhurme të fortë, madje edhe kur dëgjon një tingull që i ngjan dronit, ai tronditet”.

Reklamë

Kasyanova thotë se ndikimi i luftës tek fëmijët është i shumëanshëm.

“Përveç viktimave, fëmijët po humbin ndjenjën e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe normalitetit. Fëmijëria e tyre po shënohet nga frika, ndarja dhe pasiguria”, tha ajo.

Shumë fëmijë nuk kanë përjetuar kurrë një jetë pa luftë. Për të vegjlit nën moshën tre vjeç, bombardimet dhe dhuna janë bërë pjesë e përditshmërisë. Shumë shkolla janë shkatërruar ose janë të pasigurta, duke i detyruar fëmijët të mësojnë online për të tretin apo katërtin vit radhazi, një realitet thellësisht traumatizues.

“Nëse kjo traumë nuk trajtohet siç duhet, mund të ndikojë afatgjatë në aftësinë e tyre për të mësuar, për të ndërtuar marrëdhënie apo për të pasur besim. Në disa raste, kjo traumë mund të transmetohet edhe te brezat e ardhshëm”, paralajmëron Kasyanova.

Reklamë

Sergey, i cili është kthyer përfundimisht nga fronti për t’u kujdesur për të birin, thotë se i ka mbetur vetëm një qëllim: t’i sigurojë Markut një jetë të lumtur.

“Nuk dua që asnjë fëmijë tjetër ukrainas të rritet në luftë. Ata s’kanë bërë asgjë për të merituar të vriten apo plagosen. Nuk e meritojnë këtë,” thotë ai./