×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    OBSH shpall fundin e shpërthimit të Hantavirusit: Nuk ka raste të reja që prej 25 majit

    Reporteri
    02 Korrik 2026 | 20:50

    Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, njoftoi se shpërthimi i Hantavirusit konsiderohet zyrtarisht i përfunduar, pasi kontakti i fundit i një personi të ekspozuar rezultoi negativ dhe përfundoi periudhën e karantinës.

    “Kontakti i fundit i një personi të ekspozuar ndaj Hantavirusit në anijen turistike MV Hondius ka përfunduar periudhën e karantinës, ka rezultuar negativ në testim dhe është kthyer në shtëpi.

    Që nga 25 maji nuk janë raportuar raste të tjera. Prandaj, kemi kënaqësinë të njoftojmë se OBSH e konsideron të përfunduar shpërthimin e Hantavirusit”, deklaroi Tedros Adhanom Ghebreyesus.
    Sipas OBSH-së, numri i përgjithshëm i rasteve gjatë këtij shpërthimi mbetet 13, ndërsa tre persona humbën jetën. Autoritetet shëndetësore identifikuan dhe monitoruan më shumë se 650 kontakte në 33 vende.

    Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se puna nuk përfundon me mbylljen e shpërthimit. Tedros bëri të ditur se OBSH do të vijojë bashkëpunimin me qeveritë dhe partnerët ndërkombëtarë për të studiuar më tej Hantavirusin dhe për të përmirësuar njohuritë mbi zhvillimin e sëmundjes.

    Po ashtu, organizata po koordinon një studim ku marrin pjesë 21 shtete, me synim zhvillimin e metodave më të avancuara diagnostikuese, trajtimeve dhe vaksinave që mund të përdoren në raste të ngjashme në të ardhmen.

    Në përfundim të deklaratës së tij, kreu i OBSH-së falenderoi Argjentinën, Kepin e Gjelbër, Kilin, Holandën, Afrikën e Jugut, Mbretërinë e Bashkuar dhe veçanërisht Spanjën për solidaritetin e treguar në mundësimin e zbarkimit dhe riatdhesimit të sigurt të pasagjerëve dhe ekuipazhit të anijes në Tenerife.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!