Ditë pasi një lundrim për komunitetin LGBTQ u ndalua të vizitonte Turqinë, anijes iu refuzua hyrja edhe në portin zëvendësues në Egjipt, sipas operatorit të saj.
Anija u kthye mbrapsht pak para mbërritjes në Egjipt, tha për USA TODAY , Rich Campbell, president dhe drejtor ekzekutiv i Atlantis Events.
Lundrimi 10-ditor në Mesdhe u nis më 5 korrik dhe ishte planifikuar të ankorohej në Aleksandri më 9 korrik, sipas faqes së internetit të Atlantis. Aleksandria dhe ishulli grek i Kretës u shtuan në itinerar për të zëvendësuar disa ditë të planifikuara në Turqi.
“Na ishte dhënë miratimi i plotë për të mbërritur në Egjipt, por vetëm katër orë para se të merrnim pilotin dhe zyrtarët doganorë, na u tha se anija nuk do të lejohej të hynte në port,” tha Campbell. “Nuk na u dha asnjë shpjegim për këtë vendim dhe jemi shumë të zhgënjyer.”
Drejtori ekzekutiv thotë se anijet kanë ankoruar më parë në Egjipt.
Campbell tha se Atlantis ka vizituar Egjiptin “të paktën pesë herë në të kaluarën dhe nuk ka pasur kurrë asnjë problem.”
“Vitin e kaluar,” vazhdoi ai, “sollëm 2.500 vizitorë në Aleksandri, ndërsa një vit më parë 1.200, dhe të dyja vizitat kaluan pa asnjë incident.”
Në fund të qershorit, autoritetet e provincës Aydın në Turqi, ku ndodhet porti i njohur i lundrimeve në Kuşadası, thanë se vizita e anijes kishte “ngjallur shqetësim të madh publik për shkak të lidhjes së saj me grupe të njohura për sjellje që nuk përputhen me strukturën e shoqërisë sonë dhe vlerat morale”, sipas një njoftimi për media të përkthyer dhe të publikuar në X./Reporteri.net/