×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Pas vrasjes së Sinwarit, Hamasi zgjedh liderin e ri politik

    Reporteri
    20 Korrik 2026 | 18:32

    Khalil al-Hayya është zgjedhur kryetar i Byrosë Politike të Hamasit dhe lideri i përgjithshëm i grupit, duke zëvendësuar Yahya Sinwarin, i cili u vra nga Izraeli në vitin 2024.

    Al-Hayya, i cili më parë drejtonte ekipin negociator të Hamasit dhe kishte shërbyer si kryetar i përkohshëm i Byrosë Politike, fitoi përballë Khaled Mashal, ish-kryetarit të kësaj strukture. Sipas burimeve të Hamasit, votimi në Këshillin Qendror të Shuras ishte shumë i ngushtë, me Al-Hayyan që mori 35 vota kundrejt 34 të Mashal.

    Lideri i ri i Hamasit ka humbur disa familjarë në sulmet izraelite. Në maj, djali i tij Azzam vdiq nga plagët e marra në një sulm izraelit në Gaza, ndërsa më herët Al-Hayya kishte humbur edhe tre djem të tjerë në sulme të ngjashme.

    Në shtator, Al-Hayya ishte gjithashtu objektiv i një sulmi izraelit në Doha, së bashku me zyrtarin e Hamasit Zaher Jabareen. Mediat pranë Hamasit raportuan se vëllai binjak i Azzamit u vra në atë sulm.

    Pas vrasjes së Sinwarit, Hamasi krijoi një këshill të përkohshëm drejtues nën udhëheqjen e Ismail Darwish, përpara se të zhvillonte zgjedhjet për një udhëheqje të përhershme pas shpalljes së armëpushimit.

    Sipas burimeve të Hamasit, zgjedhjet synonin të tregonin se organizata, pavarësisht goditjeve të rënda që ka pësuar, vijon të funksionojë dhe të riorganizohet.

    Al-Hayya pritet të ndjekë të njëjtën linjë të Hamasit, e cila bazohet në përballjen e armatosur me Izraelin dhe kërkesën për tërheqjen e plotë izraelite nga Gaza.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!