Pesë burra janë arrestuar në Gjermani, nën dyshimin se po planifikonin të godisnin me automjet turmën e njerëzve në një treg të Krishtlindjeve.
Tre marokenë, një egjiptian dhe një sirian u ndaluan të premten për planin për të sulmuar një treg të Krishtlindjeve.
Autoritetet thanë se dyshonin për “motiv islamist”.Prokurorët thanë se egjiptiani 56 vjeç dyshohet se kishte “thirrur për një sulm me automjet… me qëllim vrasjen ose plagosjen e sa më shumë njerëzve të jetë e mundur”.
Marokenët dyshohet se ranë dakord për të kryer sulmin.
Zyrtarët në Gjermani kanë qenë në gjendje gatishmërie të lartë pas sulmeve të mëparshme në tregjet e Krishtlindjeve, përfshirë në Magdeburg dhjetorin e kaluar, ku u vranë gjashtë persona.
Autoritetet nuk thanë se kur ishte planifikuar sulmi ose cili treg ishte objektivi, por thanë se besojnë se ishte një treg në zonën Dingolfing-Landau, në verilindje të Mynihut.
Gazeta gjermane Bild raportoi se egjiptiani ishte imam në një xhami në atë zonë.Policia tha se marokenët, 30, 28 dhe 22 vjeç – u arrestuan të akuzuar për dakordësinë për të kryer vrasje, ndërsa siriani, 37 vjeç, u akuzua për nxitjen e të dyshuarve “në vendimin e tyre për të kryer krimin”.
Pesë të dyshuarit u paraqitën para një gjyqtari të shtunën dhe u vunë në paraburgim.
Tregjet e Krishtlindjeve janë atraksione të njohura festive në të gjithë Gjermaninë, që shpesh tërheqin turma të mëdha dhe shumë turistë.
Siguria në këto ngjarje është rritur në vitet e fundit, që nga sulmi në Berlin në 2016, kur një burrë goditi turmën në treg me një kamion, duke vrarë 12 persona. / BBC