Sipas një raporti të ri të Komisionit të Pavarur Hetimor Ndërkombëtar të OKB-së për Ukrainën, Rusia po përdor dronë për të ndjekur dhe bombarduar civilët që jetojnë pranë vijës së frontit në jug të Ukrainës, një praktikë që përbën krim kundër njerëzimit.
Në raportin 17-faqësh, i cili do të paraqitet këtë javë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, thuhet se civilët janë ndjekur për distanca të gjata nga dronë të pajisur me kamera dhe më pas janë sulmuar ndërsa përpiqeshin të gjenin strehë. Hetimi bazohet në dëshmitë e 226 personave, si dhe në qindra video të verifikuara, raporton The Guardian.
“Këto sulme janë kryer si pjesë e një politike të koordinuar për të dëbuar civilët nga ato territore dhe përbëjnë krimin kundër njerëzimit të zhvendosjes së detyruar të popullsisë”, thuhet në raport.
Një grua nga Khersoni raportoi se ishte ndjekur nga një dron derisa mbërriti në garazhin e saj, ku u plagos nga një shpërthim. Më vonë, i njëjti dron goditi edhe shtëpinë e saj, duke e detyruar të largohej.
Rusia mohon se synon civilët, megjithëse ka pranuar sulme të drejtpërdrejta ndaj infrastrukturës që ka shkaktuar mijëra viktima civile.
Edhe Ukraina, ndonëse në shkallë shumë më të vogël, ka kryer sulme ndaj objektivave civilë në Rusi apo në territoret e pushtuara, duke pretenduar se këto synojnë struktura që mbështesin përpjekjet ushtarake ruse.
Luftimet në Pokrovsk, Ukraina përforcon pozicionet
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi të hënën se trupat ukrainase po përforcojnë mbrojtjen në qytetin Pokrovsk, ndërsa rreth 200 ushtarë rusë kanë depërtuar në qytet në grupe të vogla. Rusia po përpiqet të marrë kontrollin e Pokrovskut prej më shumë se një viti, por pa arritur një përparim vendimtar.
Instituti për Studimin e Luftës (ISW) vlerëson se pretendimet e komandantit rus, gjeneralit Valery Gerasimov, për rrethimin e 5 mijë e 500 trupave ukrainase janë “shumë të ekzagjeruara” dhe “me gjasë të rreme”. Sipas ISW, trupat ruse kanë bërë përparime taktike në zonën e Pokrovskut dhe Myrnohradit, por jo aq të mëdha sa të kërcënojnë kolapsin e mbrojtjes ukrainase.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pranoi se “luftime të ashpra po zhvillohen në qytet dhe në qasjet drejt tij”, duke shtuar se logjistika është e vështirë, “por ne duhet të vazhdojmë të shkatërrojmë pushtuesit”.
Lukoil shet asetet jashtë Rusisë për shkak të sanksioneve amerikane
Kompania e madhe ruse e naftës Lukoil njoftoi se po shet asetet e saj jashtë vendit, si pasojë e sanksioneve të reja të Shteteve të Bashkuara. Masat e Uashingtonit përfshijnë ngrirjen e aseteve të Lukoil dhe Rosneft në SHBA-të, ndalimin e çdo bashkëpunimi me to dhe përfshirjen e kompanive në listën e subjekteve të sanksionuara (SDN).
Këto dy kompani përfaqësojnë mbi 55% të prodhimit të naftës në Rusi, ndërsa bizneset që nuk ndërpresin marrëdhëniet me to brenda një muaji rrezikojnë të përballen me “sanksione dytësore”, që do t’u mbyllnin aksesin në bankat, tregtarët dhe siguruesit amerikanë.
Frika për ndotje radioaktive nga raketa bërthamore ruse
Norvegjia po monitoron për ndotje radioaktive pas njoftimit të presidentit rus Vladimir Putin se Rusia ka testuar një raketë lundrimi me energji bërthamore, të quajtur Burevestnik.
Kjo raketë përdor një bërthamë radioaktive në vend të karburantit tradicional, e cila mund të lëshojë rrezatim gjatë fluturimit. Në vitin 2019, një incident gjatë testimeve të saj shkaktoi vdekjen e pesë shkencëtarëve rusë. Autoritetet norvegjeze kanë raportuar se deri tani nuk janë vërejtur nivele të larta radioaktiviteti, por pritet monitorim i vazhdueshëm.
Presidenti amerikan Donald Trump e quajti testin “të papërshtatshëm”.
Kenia dhe Koreja e Veriut përfshihen në mënyrë indirekte në luftë
Ministri i Jashtëm kenian, Musalia Mudavadi, deklaroi se qytetarë kenianë janë “joshur” nga rekrutues të korruptuar për të luftuar për Rusinë në Ukrainë dhe disa prej tyre janë ndaluar në kampe ushtarake ruse. Nairobi po negocion me Moskën për lirimin dhe riatdhesimin e tyre.
Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Koresë së Veriut Choe Son Hui vizitoi Kremlinin, duke shprehur “mbështetje të palëkundur” për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Vlerësimet e inteligjencës jugkoreane sugjerojnë se rreth 15 mijë ushtarë koreanoveriorë dhe sasi të mëdha armatimesh, përfshirë artileri dhe raketa balistike, janë dërguar për të ndihmuar forcat ruse.