Në mes të një lufte të vazhdueshme kundër pushtimit rus, Ukraina po përballet me një krizë të thellë mobilizimi, të shoqëruar nga skena dhune, rezistencë civile dhe një mosbesim në rritje ndaj strukturave të rekrutimit. Zyrtarët ukrainas janë zotuar të reformojnë urgjentisht sistemin e mobilizimit pas një serie incidentesh të dhunshme që kanë tronditur opinionin publik dhe kanë thelluar ndasitë mes qytetarëve dhe autoriteteve ushtarake.

Forcat e armatosura të Ukrainës po paralajmërojnë për mungesa serioze të fuqisë punëtore që po rrezikojnë efektivitetin mbrojtës përgjatë vijës së frontit prej rreth 1 mijë kilometrash. Në të njëjtën kohë, Presidenti Volodymyr Zelensky ka rezistuar ndaj thirrjeve të vendeve perëndimore për të ulur moshën minimale të rekrutimit nën 25 vjeç, duke theksuar se nuk është i gatshëm të “sakrifikojë brezin e ardhshëm të Ukrainës”.

Pamje të shpërndara gjerësisht në rrjetet sociale tregojnë disa burra ukrainas të cilët janë kapur brutalisht në rrugë dhe janë futur në furgonë. Këto skena kanë shkaktuar zemërim të thellë në mesin e qytetarëve, të cilët janë përfshirë gjithnjë e më shumë në përleshje verbale dhe fizike me rekrutuesit ushtarakë.

Reklamë

Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrsky, pranoi problemet dhe deklaroi në qershor se “mobilizimi nuk duhet të jetë një tronditje për njerëzit”. Ai u zotua për më shumë transparencë dhe për ndëshkimin e oficerëve që rekrutojnë paligjshëm qytetarët. Për të ndihmuar në qetësimin e situatës, qendrat e rekrutimit kanë marrë një manual prej 50 faqesh mbi rregullat e mirësjelljes dhe teknikat e për të mos përshkallëzuar ndalimet.

Megjithatë, incidentet kanë vazhduar, në Odesa, një video tregoi një burrë duke u shtyrë me forcë në një furgon të paidentifikuar, duke nxitur reagime të ashpra dhe duke detyruar ministrin e ri të Mbrojtjes, Denys Shmyhal, të përballet me pyetje të ashpra nga deputetët muajin e kaluar. Ai deklaroi se mobilizimi “po zhvillohet sipas planit” dhe se ndalimi i rasteve të dhunshme do të kërkojë “menaxhim cilësor në ushtri dhe besim në udhëheqjen ushtarake.”

Rezistenca ndaj mobilizimit po shfaqet në formën e protestave spontane, përleshjeve me policinë dhe sabotimeve të drejtpërdrejta. Në qytetin e Vinnytsia-s, rreth 80 persona u mblodhën pranë një stadiumi për të kërkuar lirimin e burrave të sapomobilizuar. Disa protestues u përpoqën të hynin me forcë në ambientet ushtarake. Në rajonin e Poltavës, vendasit kanë bllokuar automjete që transportonin rekrutët, duke i lejuar disa të ikin, ndërsa në Kremenchuk një grua u arrestua pasi goditi rekrutuesit me një gur gjatë një konflikti.

Reklamë

Sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, në gjashtë muajt e parë të vitit 2025 janë hapur më shumë se 500 hetime për pengim të aktiviteteve të ushtrisë, një rritje e ndjeshme nga rreth 200 raste gjatë së njëjtës periudhë vitin e kaluar. Këto përfshijnë jo vetëm dhunë fizike, por edhe akte të organizuara si krijimi i grupeve në rrjete sociale që paralajmërojnë qytetarët për praninë e oficerëve të rekrutimit në patrullë.

Roman Istomin, zëdhënës i zyrës së rekrutimit në Poltava, pranoi se misioni i tyre është shumë i vështirë.

“Mobilizimi është një formë e detyrueshme e shërbimit ushtarak dhe qytetarët kanë detyrimin të mbrojnë vendin. Por kjo është arsyeja pse ata e urrejnë detyrën tonë sepse funksioni ynë është të detyrojmë njerëzit të bëjnë diçka që nuk duan”, tha ai.

Edhe në Ukrainën perëndimore, që tradicionalisht ka pasur më pak tensione, situata po përkeqësohet. Në Ternopil, banorët rrethuan një makinë policie që shoqëronte rekrutuesit, ndërsa në Kamianets-Podilskyi, dhjetëra qytetarë bllokuan një automjet ushtarak, duke ofenduar oficerët dhe duke u prerë gomat e makinës. Komanda operative për Ukrainën perëndimore ka pranuar se janë regjistruar të paktën 12 përleshje që nga fillimi i vitit.

Reklamë

Një sondazh i kryer në prill 2025 nga agjencia Info Sapiens tregon për një dinamikë të ndërlikuar: 77% e të anketuarve shprehën mosbesim ndaj zyrave të rekrutimit, ndërkohë që 93% thanë se kanë besim tek ushtria. Inna Volosevych zëvendësdrejtoresha e Info Sapiens thekson se kjo pasqyron një mosbesim të përgjithshëm ndaj institucioneve shtetërore, përfshirë gjyqësorin dhe policinë.

Sociologu Anton Hrushevsky nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev thekson se, “Shumica e njerëzve e kuptojnë nevojën për mobilizim dhe janë të gatshëm të vuajnë për vendin, por kërkojnë drejtësi. Ata duan të shohin zyrtarët dhe fëmijët e tyre të rekrutohen gjithashtu”.

Ndërkohë, Ukraina akuzon Rusinë për përhapje të qëllimshme të informacionit të rremë për të diskredituar mobilizimin. Nga 256 incidente të raportuara në qershor, vetëm 36 po hetohen realisht, sipas komandës së forcave tokësore, pjesa tjetër, sipas tyre, janë “manipulime, falsifikime ose operacione psikologjike”.


Përballë krizës morale dhe operacionale, autoritetet ukrainase kanë nisur një fushatë për të promovuar rekrutim vullnetar. Një ligj i ri i nënshkruar nga Presidenti Zelensky u lejon burrave mbi 60 vjeç të nënshkruajnë kontrata vullnetare njëvjeçare. E njëjta mundësi u ofrohet edhe burrave të moshës 18–24 vjeç që përjashtohen nga mobilizimi. Kjo synon të balancojë “procesin e detyrueshëm dhe frikërat që ai shkakton”, sipas këshilltarit të Ministrisë së Mbrojtjes, Oleksiy Bezhevets.

Zelensky ka deklaruar se ushtria është në gjendje të mobilizojë deri në 27 mijë rekrutë në muaj. Megjithatë, sipas analistëve të pavarur, Rusia aktualisht po rekruton mbi 30 mijë trupa në muaj, shumica vullnetarë, të tërhequr nga shpërblimet e majme financiare.

Mungesa e besimit ndaj sistemit të rekrutimit, përplasjet me qytetarët dhe sfidat logjistike përbëjnë një krizë të thellë për Ukrainën në një moment kyç të luftës. Mobilizimi shihet si një domosdoshmëri për mbijetesën e vendit, por gjithashtu si një burim i madh pakënaqësie, mosbesimi dhe ndjenjë padrejtësie.

Në një kohë kur vijat e frontit po përballen me mungesë të personelit dhe trupat ekzistuese janë të rraskapitura, Ukraina po përpiqet të rigjejë ekuilibrin midis nevojës për të luftuar dhe të drejtës për dinjitet, drejtësi dhe barazi përpara ligjit.