Kompania ajrore Ryanair është gjobitur me 256 milionë euro (223 milionë paund) nga Autoriteti Italian i Konkurrencës, me arsyetimin se ka abuzuar me pozitën e saj dominuese në treg për të kufizuar shitjen e biletave nga agjencitë online të udhëtimit.

Sipas autoritetit rregullator, linja ajrore më e madhe në Evropë ka zbatuar një “strategji abuzive dhe të sofistikuar” për të penguar aktivitetin e agjencive të udhëtimit, duke vendosur pengesa teknike si për agjentët ashtu edhe për pasagjerët. Qëllimi, sipas vendimit, ishte të vështirësohej shitja e biletave nga palë të treta dhe të detyroheshin konsumatorët të blinin bileta vetëm përmes faqes zyrtare të Ryanair.

Gjobitja lidhet me praktikat e kompanisë gjatë periudhës nga prilli i vitit 2023 deri të paktën në prill të vitit 2025. Autoriteti italian thekson se Ryanair ka penguar agjencitë online të shisnin bileta që kombinoheshin me fluturime të linjave të tjera apo me shërbime shtesë, duke dëmtuar konkurrencën në treg.

Reklamë

Ryanair reagoi menjëherë duke njoftuar se do ta apelojë vendimin, të cilin e cilësoi si të paligjshëm. Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Michael O’Leary, ka qenë prej kohësh në konflikt të hapur me atë që ai i quan “agjenci pirate” të udhëtimit, përfshirë platforma si Booking.com, Kiwi dhe Kayak. O’Leary i ka akuzuar këto kompani se mashtrojnë konsumatorët duke vendosur tarifa shtesë dhe marzhe mbi çmimet e biletave.

Në përpjekje për të frenuar shitjet nga ndërmjetësit, Ryanair pranoi edhe rënien e përkohshme të shitjeve, duke detyruar pasagjerët që blinin bileta përmes agjencive të plotësonin formularë shtesë, të paraqitura si masa sigurie. Heqja e papritur e fluturimeve të Ryanair nga faqet e agjencive në fund të vitit 2023 solli një rënie të ndjeshme të shitjeve.

Kjo ndikoi negativisht në fitimet e kompanisë, megjithëse nuk e pengoi Ryanair të arrinte një vlerësim rekord prej 31 miliardë eurosh, duke u bërë linja ajrore e dytë më e vlefshme në botë, pas Delta Air Lines të SHBA-ve.

Michael O’Leary, i njohur për deklaratat e tij polemike dhe shpesh të ashpra ndaj aeroporteve, rivalëve dhe rregullatorëve, ka paralajmëruar se planifikon t’ia dorëzojë drejtimin e kompanisë një pasuesi brenda 5 deri në 10 viteve të ardhshme. Ai do të përfitojë aksione me vlerë 111 milionë euro nëse qëndron në krye të Ryanair deri në fund të korrikut 2028. Aktualisht, për shkak të zotërimit të aksioneve, ai konsiderohet miliarder “në letër”.

Duke reaguar ndaj vendimit, O’Leary deklaroi se ai përbën “një fyerje për mbrojtjen e konsumatorit dhe ligjin e konkurrencës”. Sipas tij, shpërndarja direkte e biletave përmes internetit dhe faqes ryanair.com ka ulur kostot me rreth 20%, kursime që, sipas kompanisë, janë reflektuar në çmime më të ulëta për pasagjerët në Itali dhe në gjithë Evropën.

Reklamë

Megjithatë, Autoriteti Italian i Konkurrencës theksoi se Ryanair ka shfrytëzuar “fuqinë e saj të konsiderueshme në treg” për të eliminuar aktivitetin e agjencive. Praktikat e përmendura përfshinin vendosjen e procedurave të njohjes së fytyrës për blerjet përmes palëve të treta, bllokimin e metodave të pagesës, fshirjen masive të llogarive të agjencive dhe imponimin e marrëveshjeve që ndalonin kombinimin e fluturimeve të Ryanair me ato të linjave të tjera.

Vetëm në prill të këtij viti, Ryanair lejoi që faqet e agjencive të lidhen drejtpërdrejt me shërbimet e saj, duke krijuar kushte për konkurrencë më efektive. Sipas autoritetit rregullator, veprimet e kompanisë “kanë bllokuar, penguar ose e kanë bërë më të vështirë dhe më të kushtueshme ekonomikisht ose teknikisht blerjen e biletave në kombinim me shërbime të tjera turistike”.