Shtetet e Bashkuara thanë se kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj Iranit, pasi Teherani goditi një anije që po kalonte në Ngushticën e Hormuzit.
Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) njoftuan se e kanë mbyllur Ngushticën e Hormuzit deri në një njoftim të ri dhe paralajmëruan se do t’i përgjigjen me ashpërsi çdo “agresioni” amerikan, sipas mediave shtetërore iraniane.
Brenda pak orësh nga sulmet amerikane, IRGC-ja tha se kishte goditur një bazë ushtarake amerikane në Jordani. Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti dhe Bahrejni raportuan se po përballeshin me sulme me raketa dhe dronë nga Irani.
Kjo ndodh pasi, më herët gjatë javës, tre cisterna tregtare u sulmuan, duke shkaktuar një shkëmbim sulmesh mes SHBA-së dhe Iranit.
Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) tha se nisi raundin e tretë të sulmeve këtë javë, pasi IRGC-ja “sulmoi hapur” një anije me flamur të Qipros në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas CENTCOM-it, anija MV GFS Galaxy nuk ishte më në gjendje të vazhdonte lundrimin për shkak të dëmtimeve të mëdha në dhomën e motorëve. Një anëtar civil i ekuipazhit rezulton i zhdukur.
SHBA-ja tha se goditi 140 objektiva ushtarake iraniane, përfshirë baza raketash dhe dronësh, rrjete komunikimi dhe pozicione të mbikëqyrjes bregdetare.
Agjencia britanike për Sigurinë Detare (UKMTO) njoftoi se autoritetet ushtarake e kishin informuar se ekuipazhi ishte detyruar ta braktiste anijen dhe ndodhej në një varkë shpëtimi.
“Iranit iu dha edhe një mundësi për të respektuar Memorandumin e Mirëkuptimit pasi u mbajt përgjegjës për sulmet e mëparshme ndaj anijeve tregtare, por ai dështoi sërish”, thuhet në deklaratën e CENTCOM-it, të publikuar në rrjetin X.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e shpërndau deklaratën duke shkruar: “Irani bëri një zgjedhje të gabuar. Tani po paguan çmimin.”
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare iraniane tha se SHBA-ja kishte goditur “një numër bazash bregdetare dhe kullash telekomunikacioni” në jug të vendit.
Si kundërpërgjigje, Irani tha se faza e parë e hakmarrjes përfshiu sulme ndaj Bazës Ajrore Prince Hassan në Jordani. Sipas Teheranit, gjatë sulmit u shkatërruan qendra e komandës dhe kontrollit e bazës, si dhe hangarët ku mbaheshin dronët MQ-9.
Të dielën e kaluar, mediat shtetërore iraniane njoftuan se Irani kishte mbyllur Ngushticën e Hormuzit deri në një njoftim të ri, pasi kishte lëshuar një raketë lundruese detare ndaj një anijeje që po lundronte në një rrugë detare të paautorizuar.
/BBC/Reporteri.net/