Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi të mërkurën, 6 gusht, një urdhër ekzekutiv për vendosjen e një tarife shtesë prej 25% ndaj mallrave të importuara nga India. Ky vendim, sipas presidentit amerikan, vjen si reagim ndaj importimit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të naftës ruse nga India dhe i shtohet tarifave ekzistuese prej 25% që janë shpallur më herët.
Ky zhvillim pritet të përkeqësojë më tej marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Indisë, në një kohë kur raportet mes dy vendeve po kalojnë një ndër krizat më të thella të viteve të fundit. Vendimi i Shtëpisë së Bardhë u paralajmërua fillimisht nga Trump të hënën dhe pason përpjekjet diplomatike të të dërguarit të tij kryesor, Steve Witkoff, në Moskë, për të shtyrë Rusinë drejt një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë.
Një burim nga qeveria indiane konfirmoi së fundmi se kryeministri Narendra Modi do të vizitojë Kinën për herë të parë pas më shumë se shtatë vitesh, një lëvizje që mund të ndikojë më tej në ekuilibrat rajonalë dhe marrëdhëniet me Perëndimin.
Trump ka paralajmëruar gjithashtu vendosjen e tarifave më të larta ndaj Rusisë, si dhe sanksione të dyta ndaj aleatëve të saj, nëse presidenti rus Vladimir Putin nuk ndërmerr hapa konkretë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.