Një gjykatë në Hong Kong ka shpallur fajtor Jimmy Lai-n, manjati i medias dhe aktivisti pro-demokracisë, rasti i të cilit simbolizon tkurrjen e tolerancës ndaj mospajtimit politik në qytet.
Autoritetet në Hong Kong dhe Kinën kontinentale e kanë paraqitur Lai-n, 78 vjeç, si organizatorin kryesor të protestave anti-qeveritare të vitit 2019, të cilat u panë si një sfidë serioze ndaj autoritetit të Pekinit.
Prokuroria e akuzoi atë për bashkëpunim me qeveri të huaja, përfshirë Shtetet e Bashkuara, me synim vendosjen e sanksioneve ndaj Kinës dhe Hong Kongut.
Njëri nga tre gjyqtarët deklaroi se ishte e qartë se Lai “kishte ushqyer për vite me radhë ndjenja pakënaqësie dhe urrejtjeje ndaj Republikës Popullore të Kinës”, duke iu referuar qëndrimit të tij të hershëm pro-demokracisë.
Ky vendim shënon fundin e një pritjeje plot 5 vite për mbylljen e çështjes. Gjykata ka caktuar 4 ditë për seancat paraprake, që do të nisin më 12 janar, ndërsa shpallja e dënimit përfundimtar do të bëhet “sa më shpejt të jetë e mundur”. Megjithatë duhet theksuar se gjasat janë për burg përjetë!.
Jimmy Lai është prej dekadash një figurë e rrallë në Hong Kong: një manjat i pasur dhe një kritik i hapur i Pekinit, shkruan The New York Times.
Gazeta e tij, Apple Daily, mbështeti fuqishëm protestat e viteve 2014 dhe 2019. Nga një refugjat dhe punëtor i thjeshtë nga Kina kontinentale, ai u shndërrua në milioner, duke ia atribuar suksesin lirisë së fjalës.
Megjithatë, vendosmëria e tij i ka kushtuar shtrenjtë…
Sot, në gjyqin historik për sigurinë kombëtare, gjykata e shpalli fajtor për akuzat e komplotit me forca të huaja dhe për publikim të materialeve nxitëse. Ai i ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat.
Gjyqi, i cili zgjati 156 ditë, është një nga më të gjatit dhe më të ndjeshmit në historinë e qytetit.
Rasti i Lai-t është bërë simbol i goditjes së opozitës që prej vendosjes së ligjit të sigurisë kombëtare nga Pekini në vitin 2020. Së fundmi, edhe Partia Demokratike, forca më e madhe opozitare në Hong Kong, njoftoi shpërbërjen e saj.
Prania e fortë policore përreth gjykatës nënvizoi tensionin që shoqëron këtë çështje, ndërsa gazetarë dhe vëzhgues u mblodhën që herët për të ndjekur një vendim me rëndësi historike për të ardhmen e lirisë politike në Hong Kong.


