Më shumë se dy vite pas luftës së përgjakshme në Gaza, më 9 tetor 2025 u shpall një armëpushim i brishtë. Edhe pse Izraeli ka vazhduar shkeljet, pauzat e bombardimeve u kanë dhënë palestinezëve mundësinë për të kërkuar të zhdukurit dhe për të shpresuar për të ardhmen.

Gjatë javës së parë të armëpushimit, ekipet e Mbrojtjes Civile të Gazës gjetën 436 trupa poshtë rrënojave, ndërsa Izraeli ktheu 195 trupa të tjerë, prej të cilëve vetëm 57 u identifikuan. Pa pajisje mjeko-ligjore, shumë prej tyre do të varrosen pa emër, duke lënë familjet në një ankth që nuk mbaron…

Ky nuk është vetëm problem logjistik, është një krizë morale, psikologjike dhe njerëzore. Pa laboratorë e pajisje, rreth 10 mijë trupa që mendohet se janë ende nën rrënoja mund të mos identifikohen kurrë. Ndërkohë që ekipe të huaja po kërkojnë trupat e pengjeve izraelite, nuk ka asnjë nxitim të ngjashëm për viktimat palestineze. Kjo shpërfaq edhe njëherë ndarjen se cilët njerëz trajtohen me dinjitet dhe cilët harrohen.

Reklamë

Dramë që përcillet brez pas brezi

Të mos mundesh t’i japësh emër një të vdekuri do të thotë të mos kesh mundësi të mbyllësh dhimbjen. Kjo gjendje e paqartë e shndërron zinë në një proces të pambarimtë, që kalon nga prindi te fëmija, nga një brez te tjetri.

Në vende si Bosnja, identifikimi i viktimave të Srebrenicës vazhdon prej 30 vitesh dhe është thelbësor për atë që mund ta quajmë “shërimi kolektiv”. Pa emra, nuk ka drejtësi dhe nuk ka pajtim! Konventat ndërkombëtare kërkojnë që shtetet të kthejnë trupat dhe sendet personale, por në Gaza kjo detyrë është bërë pothuajse e pamundur për shkak të bllokadës.

Çdo ditë vonesë e bën edhe më të pamundur identifikimin

Pa pajisje moderne, Gaza detyrohet të përdorë mjete primitive. OKB paralajmëron se vetëm nxjerrja e trupave mund të zgjasë deri në 3 vite. Ndërkohë, koha shkatërron ADN-në, përzien mbetjet mortore dhe ul ndjeshëm mundësinë e identifikimit.

Reklamë

Pavarësisht se ekipet turke, egjiptiane dhe ato të Katarit janë futur në Gaza për të kërkuar trupa izraelitësh, e njëjta urgjencë nuk ekziston për palestinezët. Kjo reflekton të njëjtin bilanc të frikshëm që botën nuk e “tronditi” shumë, me masakrimin e më shumë se 70 mijë njerëzve në këtë qytet, mes tyre 20 mijë fëmijë.

Shërimi nuk vjen vetëm nga rindërtimi i shtëpive

Rindërtimi i Gazës nuk është vetëm çështje ndërtesash. Shërimi i një populli fillon nga njohja e dhimbjes së tij. Pa emër, pa varr dhe pa drejtësi, nuk ka histori, nuk ka qetësi, nuk ka të ardhme. Shembujt nga vende të tjera tregojnë se identifikimi i viktimave është një proces jetik për rikthimin e shpresës dhe thyerjen e traumave. Për palestinezët, kjo traumë daton që nga Nakba e vitit 1948 dhe po përsëritet sot në Gaza.

Përballë mungesës së ekspertëve dhe pajisjeve, komunitetet në Gaza po përdorin metoda të thjeshta:

Reklamë

fotografimin e trupave dhe sendeve personale këqyrjen e veshjeve identifikimin nga shenja të trupit, plagë të vjetra apo detaje të vogla

Video të shumta tregojnë familjet që shfletojnë foto në tenda të improvizuara. Ka shumë trupa ku nuk ke më as çfarë sheh, tiparet janë zhdukur dhe veshjet janë e vetmja shenjë.

Këto janë zgjidhje të dhimbshme, shumë larg standardeve ndërkombëtare, por të vetmet që mund t’i ndihmojnë familjet të gjejnë të dashurit e tyre.

Gaza rrezikon të humbasë…edhe kujtesën

Reklamë

Rindërtimi duhet të përfshijë një proces të plotë: gjetjen e trupave, identifikimin, kthimin tek familjet dhe dokumentimin e çdo jete të humbur.

Vetëm kështu mund të rifillohet shërimi, të ringrihen komunitetet dhe të ruhet e vërteta historike.

Një shoqëri që nuk arrin të njohë të vdekurit e saj mbart dhimbjen, padrejtësinë dhe heshtjen për brezat që vijnë. Gaza nuk mund ta përballojë këtë barrë edhe njëherë.