Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se do të urdhërojë një hetim mbi lidhjet e supozuara të financierit pedofil Jeffrey Epstein me bankat e mëdha dhe disa demokratë të shquar, përfshirë ish-presidentin Bill Clinton.

Trump tha në rrjetet sociale se do t’i kërkojë Prokurores së Përgjithshme, Pam Bondi, dhe FBI-së të hetojnë “përfshirjen dhe marrëdhënien” e Epstein me Clinton dhe të tjerë, “për të kuptuar se çfarë po ndodhte me ta dhe me të”.

Interesi për lidhjet e Epstein është rikthyer këtë javë, pas publikimit nga ligjvënësit amerikanë të më shumë se 20 mijë faqesh dokumente nga pasuria e tij, përfshirë disa që përmendin Trump. Clinton ka mohuar fuqishëm se ka pasur ndonjë dijeni për krimet e Epstein.

Reklamë

Përveç Clinton, Trump tha se ka kërkuar nga Departamenti i Drejtësisë hetimin e bankave JP Morgan dhe Chase, ish-sekretarit të Thesarit, Larry Summers, dhe themeluesit të LinkedIn, Reid Hoffman, i cili gjithashtu është një donator i shquar demokratik.

“Epstein ishte demokrat, dhe ai është problemi i demokratëve, jo problemi i republikanëve!” shkroi Trump në rrjetet sociale.

“Të gjithë e dinë për të, mos humbni kohë me Trump. Unë kam një vend për të udhëhequr!”

Një zëdhënës i JPMorgan Chase tha se kompania ka keqardhje për “çdo lidhje” që mund të ketë pasur me Epstein dhe shtoi se kompania “nuk e ndihmoi atë të kryente aktet e tij të tmerrshme”.

Kërkesa e Trump vjen pak para votimit në Dhomën e Përfaqësuesve javën e ardhshme për të vendosur nëse Departamenti i Drejtësisë duhet të publikojë të gjitha dosjet e tij lidhur me hetimin mbi Epstein.

Reklamë

Betimi i demokratës Adelita Grijalva të mërkurën nxiti këtë veprim, pasi ajo menjëherë nënshkroi një peticion për lëshimin e dokumenteve. Nënshkrimi i saj ishte i 218-ti – nënshkrimi i fundit i nevojshëm për të nxitur votimin në sallë.