Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) ka hapur rrugën që shtetet të mund të padisin njëra-tjetrën për dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike, përfshirë edhe emetimet historike të gazeve serrë. Ky vendim i paprecedentë, ndonëse këshillues dhe jo i detyrueshëm, shihet si një hap i rëndësishëm ligjor me pasoja të mundshme në përballjen globale me krizën klimatike.

Në vendimin e dhënë të mërkurën në Hagë, gjyqtari Iwasawa Yuji theksoi se shtetet kanë detyrimin ligjor që të marrin masa sa më ambicioze për të luftuar ndryshimet klimatike dhe se dështimi për ta bërë këtë përbën shkelje të angazhimeve ndërkombëtare, përfshirë Marrëveshjen e Parisit. Ai shtoi se edhe vendet që nuk janë pjesë e kësaj marrëveshjeje, ose që janë tërhequr, si SHBA-të, nuk i shpëtojnë përgjegjësive për mbrojtjen e mjedisit.

Rasti në ICJ u iniciua nga një grup studentësh nga shtetet ishullore të Paqësorit, të cilat janë ndër më të prekshmet nga rritja e nivelit të detit dhe moti ekstrem. Vanuatu, një nga vendet nismëtare, e përshkroi vendimin si një fitore historike për të gjitha komunitetet që vuajnë pasojat e krizës klimatike.

Reklamë

“Gjykata ka njohur vuajtjen tonë, rezistencën dhe të drejtën për të ardhmen tonë”, u shpreh Flora Vano nga Vanuatu.

Vendimi pritet të përdoret nga vendet në zhvillim për të kërkuar kompensim për dëmet që lidhen me ngjarje ekstreme si stuhitë, përmbytjet apo thatësirat, nëse ato mund të lidhen me ndryshimet klimatike. Sipas gjykatës, kur rikuperimi fizik nuk është i mundur, shtetet kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim financiar.

Vendet e pasura, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, kishin kundërshtuar nismën duke argumentuar se marrëveshjet ekzistuese, si ajo e Parisit, janë të mjaftueshme. Por gjykata e hodhi poshtë këtë qëndrim.

Juristë të mjedisit e kanë cilësuar vendimin si një “moment historik”, që mund të ndryshojë qasjen globale ndaj drejtësisë klimatike dhe përgjegjësisë ndërkombëtare për dëmet e shkaktuara nga ngrohja globale.

Një analizë e publikuar më parë në revistën Nature ka vlerësuar se humbjet nga ndryshimet klimatike në periudhën 2000–2019 kanë arritur në 2.8 trilionë dollarë – ose 16 milionë dollarë në orë.

Reklamë