Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se Ukraina do të refuzojë çdo propozim rus për të hequr dorë nga rajoni i Donbasit në këmbim të një armëpushimi, duke paralajmëruar se ky mund të përdoret si trampolinë për sulme të ardhshme.
Zelensky foli përpara një takimi midis Presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin në Alaska të premten.
Trump ka thënë se çdo marrëveshje paqeje do të përfshijë “një shkëmbim territoresh” dhe besohet se një nga kërkesat e Putinit është që Kievi të dorëzojë pjesët e Donbasit që ende kontrollon.
Ndërkohë, trupat ruse kanë vazhduar ofensivën e tyre verore, duke bërë një sulm të papritur pranë qytetit lindor të Dobropillias dhe duke përparuar 10 km (gjashtë milje) në një periudhë të shkurtër kohore, raporton BBC.
Zelensky pranoi se avancimi kishte ndodhur në “disa vende”, por tha se Kievi së shpejti do të shkatërronte njësitë e përfshira në sulm.
Nuk ka dalë asnjë detaj zyrtar se çfarë kërkesash mund të bëjë Vladimir Putin kur të takohet me Donald Trumpin të premten.
Donbasi – i përbërë nga rajonet lindore të Luhanskut dhe Donetskut – është pushtuar pjesërisht nga Rusia që nga viti 2014.